Shendet

Talasemia, mjekët në alarm: Vijojnë lindjet e reja në rrethe

Gazeta Si - Në Shqipëri vijojnë të regjistrohen lindje të reja me sëmundjen e gjakut, anemia mesdhetare apo siç njihet talasemia. Alarmi vjen nga mjekët hematologë të cilët e shohin shqetësuese faktin se, prindërit e rinj janë neglizhentë për të kryer ekzaminimet për identifikimin sa më herët të sëmundjes.
"Në vitin 2018 kemi pasur 4 lindje të reja vetëm në qytetin e Lushnjës dhe Fierit. Megjithëse në sistemin publik kryhet amiocenteza dhe elektroforeza, ka raste kur vetë prindërit nuk pranojnë të abortojnë", thotë për Gazetasi.al mjekja hematologe në spitalin rajonal Lushnjë, Arjana Zaka.
Sipas saj, ka raste pacientë që janë të prekur nga dy diagnoza, Thalasso - drepanocitoze të cilët kanë nevojë për trajtim specifik. Por shumë prej tyre vijnë në moshë të madhe. Mjekja Zaka, përmend rastin e një pacienteje 6-vjeçare e cila deri në këtë moshë nuk ishte mjekuar asnjëherë.

Mjekja hematologe Arjana Zaka

Por si paraqitet situata shëndetësore e pacientëve talasemikë sot?
E kontaktuar nga Gazetasi.al drejtuesja e shoqatës së pacientëve talasemikë Ela Pinguli, thotë se dy vitet e pandemisë ishin ndër më të vështirat për shkak të mungesës së sasive të gjakut.
"Vijojmë të kemi probleme me gjakun për transfuzionet. Jo të gjithë e sigurojnë sasinë e duhur. Problem mbeten rrethet sidomos gjatë dy viteve të fundit", thotë Pinguli e cila është vetë talasemike.
Një tjetër problem mbetet mungesa e protokolleve të trajtimit për talasemikët adultë.
Pinguli thotë se kjo mungesë, e bën të vështirë ndjekjen e sëmundjeve bashkëshoqëruese si, zemra apo veshkat ku ata preken më së shumti.
"Nuk është njësoj si të mjekohesh te mjeku specialist ku shkojnë të gjithë, apo tek mjekë që janë të specializuar dhe njohin sëmundjen tonë", thotë Pinguli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë