Analize

Taksat për shqiptarët -Varka po fut ujë

Rezultatet e  fundit financiare të publikuara nga qeveria janë bërtitëse dhe i kalojnë caqet e shqetësimit që vijnë ndoshta thjesht nga rrethana të përkohshme. Ato dëshmojnë se kriza e konsumit po thellohet, shqiptarët e  kanë të pamundur të shpenzojnë më tepër dhe se politika si me kulaç si me kërbaç nuk po funksionojnë?

Kjo parantezë në kufijtë e horrorit e ka një dëshmi të fortë. Në gusht të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme (Tatimi mbi vlerën e shtuar), tregues direkt i konsumit në ekonomi, dhe reflektim i deklarimeve të shitjeve të bizneseve kanë pësuar rënie drastike. Sipas të dhënave  zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave nga tatimet u mblodhën 2.3 miliardë lekë TVSH, me një rënie të fortë prej 32.8% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Bashkë me korrikun ku tkurrja ishte e fortë prej 30%, bëhen dy muaj rresht negative.

Ky rezultat dëshpërues, logjikisht nuk pritej nëse do të ecim më të dhënat historike sepse në sezonit e verës për shkak se turizmi zgjohet nga gjumi dhe konsumi gjallërohet gjithashtu. Sipas Ministrisë së Turizmit, në gusht mbërritën edhe 1,5 milion turistë (më shumë se një vit më parë) që iu shtuan forcës së brendshme për konsum dhe pritej që të paktën për këto arsye mbledhja e TVSH-së të ishte më e lartë.

Nga ana tjetër në gusht “vloi“ edhe kërbaçi fiskal. Në një aksion të paprecedentë që nga tatimori më i vogël deri tek Ministri i Financave dolën në terren, bizneset u kontrolluan rreptësisht sikundër pretendohet nga zyrtarët, për të mos fshehur kuponin tatimor, në fund të të cilit shfaqet dhe TVSH-ja. Por pamjet me bizneset e mbyllura, kërcënimet e përditshme nuk i dhanë zonjës Denaj, rezultatin. Të dhënat mujore të ministrisë që ajo drejton tregojnë se gjithçka që u bë dhe gjithçka që ndodhi sollën rezultate negative.

Për 8 mujorin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 18%. Kjo është tkurrja më e fortë e dekadës së fundit, të paktën që nga 2009, kur raportohen të dhënat e detajuara nga Ministria e Financave.  Rënie siç e tregon edhe grafiku ka pasur edhe në vitet 2011-2013 , por ato lidhen me efektet e krizës ndërkombëtare. Ndërkohë që në këto moment, Shqipëria nuk duhet të ishte në këtë status pavarësisht se kështu po ndodh.

Ngadalësimi i aktiviteti të gazsjellësit TAP dhe mbyllja e lojërave të fatit janë faktorë që kanë ndikuar tek rënia e të ardhurave nga TVSh-ja. Por ky nuk mund të mbet as justifikim, pasi hap një plagë më të madhe të ekonomisë, atë se sa keq dhe e paqëndrueshme është ekonomia pavarësisht shkëlqimit fals të rritjes ekonomike. Edhe po ta shikonim ngushtësisht çështjen, duhej që për shkak të rritjes ekonomike dhe rritjes mjaft të mirë të numrit të turistëve, kjo masë negative të kompensohej. Fakti që nuk ndodhi  e çon logjikën me përtej. Aq larg sa kostumi i ministres së financave duket i vogël.

Banka e Shqipërisë kur mbajti normën bazë të interesit të ulët e perceptoi këtë ndodhi që mund të jetë e rrezikshme në të ardhmen për shkak të një  konsumi të popullatës “nën potencial” siç ka qejf të shprehet zakonisht ky institucion i pavarur kur kërkon të qëllojë me pambuk. Edhe molepsja e keqe e kursit të këmbimit të euros që  përkeqëson bilancin tregtar, eksportet, ngatërron financat personale të familjeve shqiptare duke iu mbivendosur këtyre rezultateve alarmante me rënie të të ardhurave nga TVSH në buxhet dhe paralajmërojnë  rreziqe më të mëdha që i sjell kjo rënie e konsumit. Rasti tregon se as  stimujt,   por as forca nuk funksionon , sistemi i taksave dhe vetë ekonomia i janë kthyer në barrierë njëra tjetrës. A mos vallë jemi në pikën ku barra e taksave është tej fuqisë së shqiptarëve për të paguar? Të dhënat e fundit duket të jenë një pikënisje për shqyrtim serioz, sepse barka e këtij sistemi fiskal të pabarabartë po fut ujë dhe mund të na mbytë të gjithëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë