Financa Personale

400 euro rroga minimale, premtimi i Lulzim Bashës

Në fjalën e mbajtur në konferencën e radhës të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë, Lulzim Basha bëri një panoramë më shumë se të zymtë të gjendjes së ekonomisë dhe punësimit në vend. Kreu i Partisë Demokratike tha se për këtë kërkohet një ndryshim i shpejtë,

“70 për qind e të rinjëve kanë si aspiratë largimin e vendit sa më shpejt që të jetë e mundur. Vendi po ecën pas. Shkak është kultura e korrupsionit që karakterizon çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, nga politika, biznesi, shëndetësia dhe arsimi. Korrupsioni nxjerr paratë nga xhepat e shqiptarëve dhe i fut ato në xhepat e politikanëve, oligarkëve. Gjithkush ka përgjegjësitë e veta, por ata që vuajnë janë pjesë dërrmuese e shqiptarëve, ndërkohë që pasuria e një grushti njerëzish sa vjen e shtohet”, tha Basha.

Shkaktari i kësaj krize të gjithanshme, sipas Bashës, është nga keqqeverisja e Edi Ramës.

“Kjo qeveri dhe ky Kryeministër kanë dështuar. Ata që paguajnë faturën e dështimit të tyre janë rinia, punëtorët, pensionistët. Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë përgjegjës për shkatërrimin e mijëra vendeve të punës dhe largimin e investimeve të huaja”, u shpreh kreu i PD.

Basha foli për nevojën e një drejtimi të ri, që vendi duhet të marrë sa më shpejt. Ai tha se opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike janë gati.

“Opozita dhe PD e kanë këtë plan, vizionin për një Shqipëri të përparuaar dhe europiane dhe së bashku me ekspertët tanë më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të shpalosim këtë plan dhe vizion”, vijoi ai.

Kryedemokrati rrëfeu se esenë e parë si student i drejtësisë në Holandë e ka bërë me temën mbi të drejtat që burojnë nga konventat europiane për punëtorët. Pikërisht për këtë kategori bëri premtimet konkrete.

“Brenda 6 muajve të parë të qeverisjes rrisim pagën minimale në 300 euro. Deri në fund të mandatit, paga minimale rritet në 400 euro. Do t’u japim fund koncesioneve korruptive dhe çdo qindarkë që shkon për oligarkët dhe pushtetarët, do ta çojmë për rritjen e pagave, pensioneve dhe për të investuar për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u zotua Basha.

Basha ftoi sindikatat dhe qytetarët që t’i bashkohen alternativës së Partisë Demokratike dhe opozitës kundër asaj që e quajti oligarki dhe qeveri antipopullore dhe antieuropiane dhe dha edhe një garanci për premtimet e bëra.

“Siç jam sot si kryetar i opozitës do të jem para jush me të gjitha përgjegjësitë që do të me besoni për të dhënë llogari për premtimet e sotme këtu dhe për çdo angazhim tjetër që do të burojë nga marrëveshja jonë. Ndryshimi po afron!”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë