Politike

Taksa për naftën, Spaho: Rama gënjen, ja dokumenti faktues i ministres

Partia Demokratike nëpërmjet nënkryetarit të saj, Edmond Spaho akuzoi qeverinë se po mashtron shqiptarët dhe se çmimi i karburantit do të rritet në Shqipërisë. Për opozitën ligji i ri për krijimin e depozitave të naftës do të shoqërohet edhe me vendosjen e një takse, çka do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit.
“Rama dhe ministrja e tij e Financave gënjyen paturpësisht, kur thanë se nuk ka rritje të re të çmimit të karburanteve. Por Ministrja e Energjisë Belinda Balluku, e nxjerr në shesh këtë gënjeshtër të Edi Ramës me shpjegimet ligjore që ka çuar në Kuvend. Në fund të shpjegimit të ligjit që rrit çmimin e karburanteve për të mbajtur me para Agjencinë e Edi Ramës, thuhet qartë se “kostot mund të ndikojnë në çmimin e konsumatorit fundor”. Dokumenti që gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit është prova nga vetë qeveria se ky vendim i Edi Ramës zhvat shqiptarët dhe i varfëron akoma më shumë”, deklaroi Spaho.

Aktualisht, sipas tij, Shqipëria e ka të rregulluar shumë mirë rezervën e sigurisë së karburanteve, pa kosto të tjera shtesë mbi qytetarët. Këtë gjë e bëjnë kompanitë private prej 20 vjetësh me një praktikë të konsoliduar ligjore.

Dokumenti i publikuar nga PD-ja, ku jepet vlerësimi i ministres Balluku mbi projektligjin


“Kjo e bën krijimin e agjencisë së propozuar prej Edi Ramës një vendim puro hajdutëror, që rrit çmimin e karburantit dhe hap rrugën për një tjetër koncesion për klientët e Edi Ramës. Shqipëria është vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë, pasi Edi Rama vendosi 4 vjet më parë edhe taksën e qarkullimit 270 lekë për litër. Kjo ndërhyrje e re e qeverisë për të rritur sërish çmimin nëpërmjet një takse tjetër është goditje direkte për qytetarët, 31 për qind e të cilëve nuk mbyllin dot muajin dhe nuk ushqejnë dot plotësisht fëmijët. Ky është një nga ato vendime për të cilat Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi për herë te parë Shqipërinë si vendin me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Ajo që na duhet është të largojmë këtë bandë hajdutësh që po thellon çdo ditë e më shumë krizën. Duke larguar këtë qeveri që punon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, ne do t’i hapim rrugë, me zgjedhje të lira e të ndershme, një qeverie që punon për qytetarët”, theksoi Spaho.
Numri dy i PD-së bëri të qartë edhe planin e opozitës për mos pranuar këtë ligj me ardhjen në pushtet. “Ne do të anullojmë që ditën tonë të parë në qeverisje taksën Rama mbi karburantet. Ne do ta ulim me 300 lekë më pak çmimin për çdo litër naftë!”, theksoi Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë