Ne rrjet

Taksa, Mitrovica mbyll dyqanet, farmacitë dhe kafenetë

Plani i Serbisë për improvizimin e një krize humanitare në Veriun e Kosovës për ta detyruar kryeministrin Ramush Haradinaj të tërhiqet nga taksa duket se ka dhënë implikimet  e para në Mitrovicë. Mediat në Prishtinë shkruajnë se në Veri të Mitrovicës të gjitha dyqanet janë të mbyllura që nga mëngjesi i ditës së hënë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në shenjë solidarizimi, janë mbyllur edhe kafenetë, farmacitë, pikat e karburanteve, si edhe shërbimi taksi.

Ky është përshkallëzimi më i madh i situatës, shtatë muaj pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina,.

Sipas një krizë të inskenuar nga Beogradi zyrtar, kryebashkiaku serb i Mitrovicës së Veriut thotë se në qytet nuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte tjera.

Radosh Petroviq, një përfaqësues i Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës ka njoftuar të hënën se dyqanet dhe kafenetë u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga Kosova e Veriut për t'u marrë me aktivitetet e tyre. Ai nuk bëri të ditur se deri kur do të jenë të mbyllura dyqanet, duke thënë se “kjo varet nga situata në terren”.

“Mungesa e mallrave është vërejtur gjatë shtatë muajve të fundit, por sot ka ndodhur kolaps i plotë, të gjitha dyqanet janë mbyllur, edhe ushqimoret”, ka thënë Petrovic.

Madje ai njofton se furrat e bukës do të punojnë me kapacitet të reduktuar dhe se buka do të dorëzohet vetëm në spitale, në Qendrën e Studentëve dhe në kopshte.

Në kundërpërgjigje, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi hapjen e disa dyqaneve shtesë në veri të Kosovës, duke deklaruar se qeveria do të mbrojë qytearët. Sipas tij, “kriza humanitare në Veri” është një inskenim i autoriteteve të atjeshme Beogradit.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, tha Haradinaj.

Ai tha se në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, Qeveria ka organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse në Veriun e Kosovës.

“Ky aksion, i koordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”, tha Haradinaj. “Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës që po orkestrohet nga agjentë të jashtëm”, shtoi kreu i qeverisë.

Ramush Haradinaj

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën që ajo që po ndodh në pjesën veriore të vendit nuk mund të quhet krizë humanitare.

“Nuk ka krizë humanitare në Kosovë. Mund të ketë improvizim të Serbisë, për t’i paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj, është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike të njohë dhe të kuptojë realitetin”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Adrijana Hoxhic shprehet se mbyllja e kafeneve, farmacive dhe dyqaneve të hënën është protestë e paralajmëruar nga ana e komunitetit serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë