Taksa

Taksa e pronës/ Dhoma Amerikane e Tregtisë letër Financave: Nga ndryshimet norma e taksës 4-fishohet, të rishikohet metodologjia e vlerësimit

Nga Gazeta 'Si' - Dhoma Amerikanë e Tregtisë në një letër drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ngre shqetësimin se ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” 4-fishojnë normën e taksës së pasurisë.

AmCham i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë metodologjinë e vlerësimit, duke filluar nga çmimet e referencave, të cilat duhet të reflektojnë vlerën reale të tregut, deri tek tagri i pakufizuar që i është dhënë pushtetit vendor.

LEXO EDHE:
- Drafti i taksës së pasurisë / Sa do të paguajmë për ndërtesat, truallin dhe tokën bujqësore. Përjashtohen resortet e huaja
- Qeveria miraton çmimet e reja të referencës për taksën e pronës. Zona e Bllokut më e shtrenjta
- Taksa e Pronës / Çmimet e referencës rriten deri në 73% në njësitë administrative. Farka, rritjen më të lartë

E shoqëruar kjo me sfondin kaotik që ka krijuar mungesa e një baze të saktë të të dhënave për pasuritë e paluajtshme, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë shërben për të rritur konfuzionin sidomos kur flitet për procedura të vetëdeklarimit të pasurive të paluajtshme që nuk janë të regjistruara në Kadastër.

“Konstatojmë se tarifat e reja janë shumë të larta krahasuar me ato ekzistuese. Në relacion flitet për rritje të të ardhurave nga taksa e pasurisë, por rritja duhet të vijë nga miradministrimi dhe jo nga katërfishimi i normës tatimore”, citohet në letër.

Në analizën e detajuar drejtuar Ministrisë së Financave dhe ekonomisë Dhoma Amerikane ngre shqetësimin edhe për problemet serioze që shfaqen me formulimin e neneve, koha e pamjaftueshme që u është lënë për konsultim grupeve të interesit në një kohë kur drafti hyn në fuqi nga 1 janari 2026.

Për sa i përket përcaktimit të metodologjisë së vlerësimit, AmCham nënvizon se duhet të bëhet nga ligji dhe jo të lihet në dorë të plotë të qeverisë, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Neni 118 i Kushtetutës përcakton se “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”.

"Duke qenë ky projektligj sjell risi në procesin e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, metodologjia në këtë proces vlerësimi është thelbi dhe ka impakt te menjëhershëm dhe interes më të lartë tek publiku.

Pavarësisht se kjo metodologji pritet të zbërthehet në një VKM, në çdo rast, për qëllim të reformës strukturore që ky projektligj pritet të sjellë, si dhe kuptueshmërinë e tij në shkallë të gjerë nga publiku si dhe në respektim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është shumë e rëndësishme që ligji vetë të përcaktojë parimet bazë të metodologjisë së vlerësimit pa e lënë këtë në diskrecion të plotë të Këshillit të Ministrave.

Procesi i vlerësimit është momenti më i prekshëm dhe më me interes i këtij projektligji. Nëse ligji përcakton vetëm tarifën e taksës dhe ndërkohë qeveria është e lirë të përcaktojë mënyrën/metodologjinë e vlerësimit të bazës së tatueshme, jemi në kundërshtim me parimin kushtetues që taksat vendosen me LIGJ”, nënvizohet në letër.

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe ekonomisë në fillim të muajit Gusht rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare, ky synohet t’u afrohen vlerës së tregut.

Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0.1% deri në 0.2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0.15 deri në 0.25% nga 0.2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0.15 deri 0.25%. Ndryshimet e propozuara parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janar 2026 për ndërtesat dhe kategoritë, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.

Në letër anëtarët e Dhomës Amerikane “këmbëngulin” që të ketë vetëm një normë tatimore për taksën e pasurisë dhe bashkia të ketë të drejtë ta ulë, nëse vendos kështu, me qëllim të rëndohen me më pak detyrime rezidentët.

“Nëse bëjmë një krahasim të normave tatimore mes pronave të ndryshme vëmë re se gati barazohet banesa/shtëpia me një dyqan/qendër tregtare. Prona rezidenciale tatohet deri 0.2% ndërsa prona tregtare vetëm 0.25%.

Duhet theksuar se prona tregtare nxjerr të ardhura dhe nga ato mund të alokohen disa për të rritur taksën e pronës, por shtëpia nuk nxjerr të ardhura, përkundrazi krijon shpenzime dhe afrimi i normës tatimore nuk përbën një taksim të drejtë. Për më tepër, tatohen po me normë 0.25% edhe ndërtesa që janë kategori prone industriale.

Si mund të barazohet një qendër tregtare me një kapanon prodhimi? A duam të tatojmë më shumë industrinë dhe prodhimin?”, argumentohet në letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë