Ne rrjet

Takimi Putin-Kim / Raketa, shtrëngime duarsh (të përjetshme) dhe dolli ‘për betejën e shenjtë’ anti-Perëndim

Çfarë ndodhi në takimin midis presidentit rus dhe liderit të Koresë së Veriut në kozmodromin Vostochny. Cari premtoi "teknologji hapësinore", “Marshalli” tregoi mallrat e tij, duke i kërkuar Koresë së Veriut të lëshonte dy raketa në detin e Japonisë

Gazeta Si - A do ta ndihmojë Rusia Korenë e Veriut të realizojë ëndrrën e saj për t'u bërë një fuqi hapësinore e aftë për të vendosur satelitët në orbitë?

"Kjo është arsyeja pse ne erdhëm këtu, pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut është shumë i interesuar për teknologjinë e raketave".

Kështu iu përgjigj Vladimir Putin pyetjes së një gazetari rus, menjëherë pasi i uroi mirëseardhjen Kim Jong-un në kozmodromin Vostochny.

Fjala më pas për “Marshallin”, i cili mbërriti nga Pheniani: "Jam i sigurt se do të mbetemi të bashkuar në luftën kundër imperializmit dhe se ky samit do të jetë një trampolinë për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve tona".

Pas një shtrëngimi duarsh për 40 sekonda, Putini shoqëroi menjëherë të ftuarin në një vizitë në bazën e Lindjen së Largët Ruse, e cila në epokën sovjetike ishte e armatosur me raketa ushtarake dhe që nga viti 2016 është shndërruar në një qendër lëshimi në hapësirë ​​për qëllime komerciale.

Për më tepër, teknologjia e lëshimit në hapësirë ​​është shumë e ngjashme me atë të nevojshme për të ndërtuar raketa balistike ndërkontinentale.

Këtë vit, teknikët e Koresë së Veriut dështuan keq, dy herë, për të lëshuar satelitin e tyre të parë vëzhgues (spiun) dhe për këtë arsye ndihma e partnerëve të tyre të rinj rusë do të ishte shumë e dobishme.

Transferimi i teknologjisë ruse në këmbim të municioneve të Koresë së Veriut për përdorim në frontin ukrainas, ishte në qendër të samitit mes Putinit dhe Kim.

Kreu i Kremlinit nuk e fsheh më: në një pyetje të re të një gazetari rus mbi hipotezën se koreano-veriorët do të furnizojnë armë dhe do të krijojnë një bashkëpunim tekniko-ushtarak, ai u përgjigj: "Ne do të flasim për çdo temë, madje edhe për më të ndjeshmet".

“Marshalli” i Koresë së Veriut kishte gjithashtu diçka për t'i treguar Putinit këtë 13 shtator: në mëngjes nga zona Sunan pranë Phenianit, artileria e tij hodhi dy raketa balistike drejt Detit të Japonisë, dhjetë minuta larg njëra-tjetrës.

Bombat fluturuan rreth 650 kilometra përpara se të binin përsëri në oqean. Këto janë dy SRBM (raketa balistike me rreze të shkurtër), d.m.th., raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Pikërisht municioni që do t'i duhej ushtrisë ruse për të mbuluar “teatrin” e operacioneve në Ukrainë.

Kim, pra, donte të jepte një demonstrim të vogël të potencialit të tij, nëse do të mund mund të thuhet për mallrat që ai është gati të shkëmbejë me Putinin.

Është hera e parë që koreano-veriorët lëshojnë raketa, ndërsa i nderuari “Marshalli” Kim ndodhet jashtë vendit.

Natyrisht nuk kishte pasur shfaqje të tilla kur Kim ishte jashtë për samite me Donald Trump në vitin 2018 dhe 2019, në Singapor, në paralelen e 38-të, në Hanoi: ato ishin kohët e moratoriumit.

Zbutja me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut ka përfunduar dhe Koreja e Veriut ka rifilluar të gjuajë bomba me shpejtësi të plotë: mbi 100 deri në vitin 2022.

Ato që u përdorën këtë të mërkurë, shërbejnë për të demonstruar se Kim ka një sasi të tillë raketash që mund t'i përdorë për qëllime sipas dëshirës, ​​ose për të kërcënuar koreano-jugorët dhe japonezët, ose për të përmirësuar procedurat e nisjes ose për t'ia ofruar ato Rusisë.

Për më tepër, në arsenalet e Koresë së Veriut ka miliona predha artilerie dhe raketahedhëse antitank, ndoshta pak të vjetruara, por që do të ishin të dobishme për ushtrinë e Carit të zhytur në frontin ukrainas, ku llogaritet se deri në 10 mijë të shtëna me topa të kalibrit të madh goditen në ditë.

Televizioni shtetëror i Moskës raporton se Kim Jong-un i tha Putinit në fillim të samitit se prioriteti i Koresë së Veriut tani është marrëdhënia e re me Rusinë dhe se vizita e tij vjen "në një kohë të veçantë".

Kim ofroi "mbështetje të pakushtëzuar për betejën e shenjtë të Rusisë për sigurinë e saj dhe kundër forcave të imperializmit": një referencë për luftën në Ukrainë.

Putin ngriti një dolli për "forcimin e bashkëpunimit" me Korenë e Veriut dhe Kim iu përgjigj me një dëshirë për "fitore të reja për Rusinë".

Shtetet e Bashkuara kanë thënë tashmë se një marrëveshje ushtarake mes dy liderëve të izoluar do të çonte në sanksione më të ashpra.

OKB-ja e ka ndaluar Korenë e Veriut të shesë armë jashtë vendit dhe Rezoluta 2270 e ndalon Phenianin të bashkëpunojë me çdo shtet tjetër anëtar në fushën e raketave balistike "edhe nëse përfshin lëshimin e satelitëve ose mjeteve hapësinore".

Ajo rezolutë u votua po nga Rusia. Por që atëherë skenari ka ndryshuar. Putin u hodh në aventurën e Ukrainës dhe tani është i rrethuar nga sanksionet perëndimore: ai ka nevojë për një tjetër aleat të supersanksionuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Kjo është arsyeja pse Kim shkoi në Kozmodromin Vostochny në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në katër vjet.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë