Sport

Tajson Furi pushton Amerikën, mposht Shvarc që në raundin e dytë

Boksi kthehet në “tokë”. Pas mbrëmjes befasuese të “Madison”-it, ku Andi Ruiz theu çdo parashikim kundër Antoni Xhoshua, mëngjesin e sotëm, në “MGM” të Las Vegasit, gjithçka u rifut brenda parashikimeve me fitoren e lehtë të Tajson Furit në ndeshjen e peshave të rënda ndaj 25-vjeçarit gjerman, Tom Shvarc, i cili u dorëzua pas dy raundesh. Ishte një fitore e thjeshtë për boksierin britanik, me “ko” teknik që në raundin e dytë.

Furi, që ishte rikthyer fuqishëm me barazimin ndaj kampionit të Wbc, Deontei Uillder, në këtë ndeshje ka luajtur si “macja me miun”, falë gjatësisë së tij 2.06 metra, që e lejonte ta mbante kundërshtarin nën kontroll gjithë kohës. Një e djathtë e fortë e drejtpërdrejtë në hundën e Shvarc bëri që gjermani të mos ta merrte më veten. Momenti më emocionues i ndeshjes ishte në raundin e dytë, kur Tajson Furi imitoi legjendën Muhamed Ali në sfidën ndaj Foreman, duke shkuar te litarët dhe duke shmangur katër herë goditjet e rivalit. Britaniku tregoi se është një boksier me aftësi të mira edhe në mbrojtje. Ishte vetëm një lojë, sepse më pas, në qendër të ringut, Furi i dha goditjen fatale boksierit gjerman, që pësoi një frakturë në hundë. U mundua ta kalonte këtë moment delikat 25-vjeçari, por nuk ia doli dhe arbitri Keni Bailes mbylli ndeshjen 3 sekonda para përfundimit të raundit të dytë.

Tajson Furi, pas fitores ndaj Shvarc

Ishte një fitore e lehtë për Furin, që nuk është se i jep shumë vlera karrierës së tij, por kompleton ikonografinë e peshës së rëndë më të çmendur të momentit në boks. Vitin e ardhshëm Furi do të ndeshet sërish me Uillder. Britaniku mbetet i pamposhtur në ring, me 28 fitore dhe 1 barazim. Ishte hera e parë që Furi ndeshej në Las Vegas dhe ai menjëherë e bëri për vete publikun, duke arritur një fitore të shpejtë, ndërkohë që kishte zgjedhur të dilte në ring me të mbathura me flamurin amerikan. Pas fitores, boksieri u shfaq në humor dhe këndoi "American Pie".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë