Libra

Tadeusz Różewicz: Poeti i një brezi të asgjësuar, për herë të parë shqip

Tadeusz Różewicz, i ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare ishte një nga poetët e mëdhenj “dëshmitarë” të Europës, jeta e të cilit ishte e prekur drejtpërdrejt nga ngjarjet sizmike të shekullit të 20-të. “Brezi im i asgjësuar është tanimë i shkuar dhe në agoni, i mashtruar dhe i zhgënjyer”, do të thoshte ai fill pas rënies së murit të Berlinit. Ai e pa harresën e historisë si një katastrofë “rënien e lotëve në bursë”, siç do të shkruante në një poemë, në vitin 1994.
Ajo gjeneratë, e lindur pak pas Luftës së parë botërore, mes ricaktimit kaotik të kufijve në harta, shkruan poeti dhe përkthyesi George Szirtes, për britanike “The Guardian”, dëshmoi rritjen e fashizmit, tmerret e Luftës së Dytë Dotërore ( si Różewicz ashtu edhe i vëllai, Janusz – poet edhe ai –shërbyen në rezistencën polake, Janusz-i u vra nga Gestapoja, më 1944-ën), më pas panë Perden e Hekurt të binte nëpër Europë dhe mbijetuan, nëse ia dolën, Stalinizmit, pa u burgosur apo vrarë për të parë orën të trokiste drejt 1989-ës dhe atë që e konsideronin, me raste, si riinterpretim i rremë i së shkuarës së tyre.


Për herë të parë, për lexuesin shqiptar vjen përmbledhja poetike e autorit tw shquar polak, nga “Botimet POETEKA”, në bashkëpunim me Institutin Polak të Librit.
Përveç poezive, të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi “Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish” shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin e 20-të. Teksti i parë është eseja, Fshehur në vetvete: poezia e Rơżewicz-it”, me autor Tom Paulin dhe John Osborne, me esenë “Tadeusz Różewicz: Gërsheti”. Krijimtaria poetike e Różewicz vjen për lexuesin me shqipërimin e Astrit Beqirajt e Ben Andonit. “Ne e kemi mësuar gjuhën nga mbishkrimet nëpër mure, këta njerëz dhe unë. Ajo ç’ka kam krijuar është poeti për të humburit nga tmerri. Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për të mbijetuarit”, do të shkruante vetë Rozewicz për poezinë e tij. Rrëfimi i vetë Różewicz-it për jetën e tij vjen tek “Nëna niset”, një vepër pjesërisht memoar, pjesërisht ditar, pjesërisht biseda të regjistruara, pjesërisht poezi, ku na paraqet tablonë e një fëmijërie që nis me një nënë tejet fetare, e cila ka lindur hebreje, por më pas u bë pjesë e komunitetit katolik. Kur lindi Tadeusz-i familja jetonte në një qytezë, por ajo kishte kaluar vite në një fshat dhe përshkrimet e gjalla të jetës fshatare, që ai i evokon në “Nëna niset”, i lanë mbresa të forta poetit në të kuptuarit e potencialit njerëzor. Poemat e para të tij qenë fetare dhe kurrë nuk e humbi vështrimin e idesë së të mirës dhe së keqes. Ai pa shumë nga kjo e fundit në jetë. Pasi studioi histori arti në universitetin e Krakovit nisi të botojë poezi dhe drama dhe bëri emër në të dy gjinitë, duke zhvilluar një stil kolazhi tek dramat.

Tadeusz Rozewicz 


Różewicz, i cili u nda nga jeta më 2014-ën, i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur, pasi Polonia rifitoi pavarësinë, në vitin 1918. Sipas botueses, Silvana Leka, ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit 20-të dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letrare ndërkombëtare të avangardës. Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel. E nisi krijimtarinë nga viti 1944, duke krijuar 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. “Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Aushvicit. Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës “humanizëm” dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike”, shprehet Leka. 

Si poet, u rreshtua me ata që shpërfillnin atë çka pjesa më e madhe e njerëzve e mendonin si “poetike”. Ai zgjodhi gjuhë të thjeshtë dhe një teknikë të gjerë moderniste për të kërkuar imazhet e përfundimeve më të errëta. Në këtë kontekst, poezia “tepër të thjeshtë”, e Tadeusz Różewicz-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija. Tekstura e zërit nuk ishte ndryshe nga ato që gjejmë edhe tek poetë të tjerë europianë të brezit të tij, Herbert, Milosz dhe Leopold Staff para tyre, por edhe tek Holub, Popa dhe Enzensberger. Poezia e brezit të tij ishte një burim kundër retorikës, një mënyrë e të folurit, me të vërtetën mes rreshtash, për politikën dhe dhunën. Me fjalë të tjera, Różewicz na kujton objektivistë si Zukofsky, Reznikoff, Oppen dhe Carl Rakosi. Syri i Różewicz-it ishte i pamëshirshëm, por poemat janë plot dhembshuri. “Fëmijëria është si ajo fytyrë e turbullt në një monedhë ari, që tringëllin pastër” shkruante në një poemë. Në një tjetër “Gërsheti”, ai konsideron flokët e rruar të grave në kampet e luftës.

Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s’mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë

Muzeu – Oshvjençim, 1948

Për poetin dhe kritikun nga Irlanda e Veriut, Tom Paulin, poetë si Różewicz-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, në Perëndim, “u përmbahemi gjysmë vetëdijshëm dhe verbazi”. Me servirjen e sendeve të rastësishme, të vdekura, indiferente, publike, Różewicz-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim, sesi dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë vret gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Różewicz-it, përfundon Paulin. Różewicz ishte figurë e rëndësishme në poezinë moderniste, por modernizmi i tij kishte pak të bënte me teorinë dhe eksperimentet formale, si të tilla. Ka, në qartësinë e tij të ashpër, diçka përtej, një nuancë të hershme e prej Chagall ndoshta, ku jeta, në fund të fundit ishte e shenjtë, gjykon poeti dhe përkthyesi britanik, George Szirtes.


Poeti dhe dramaturgu i njohur John Osborne, i njohur në Mbretërinë e Bashkuar për sensin e tij kritik ndaj normave të vendosura sociale dhe politike, e sheh poezinë e
Różewicz-it, si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. “Poetët polakë, mes të cilëve edhe Różewicz-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti kaq monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës”, është shprehur ai, duke iu referuar poezisë “Gërsheti”. Nëse diçka ekziston vërtet, kjo është poezia, fjalët e të cilës, të zhvoshkura nga iluzionet, flasin përtej nesh dhe për ne, që banojmë interregnum midis gjenocidit dhe shfarosjes së të gjithëve dhe gjithçkaje, midis holokaustit, që është pjesë e së shkuarës dhe diçkaje më shumë rrënuese, të cilën deri tani po mundemi ta vonojmë.


Për t’i shpëtuar regjimit komunist, Różewicz-i u largua nga Polonia në vitin 1950. Rrëfimi i tij hidhur, por gjithë përulësi i drejtohet “së kaluarës bashkëkohore” dhe ilustron dramat e jetës së sotme. Gjuha e poezive të Tadeusz Różewicz-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar.
Edhe sot poezia e Różewicz-it tingëllon bashkëkohore, pasi autori shpreh ankthet e trazimet e një brezi, të karakterizuar nga lufta. Ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e kthyer në objekt dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.

 

Më Shumë