Politike

Tabaku: Shkrini bordin e naftës, nuk mund të vendosin oligarkët për shqiptarët

Nga Gazeta ‘SI’ - Deputetja Jorida Tabaku i ka bërë thirrje qeverisë që të shkrijë Bordin e Karburanteve, referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Tabaku shkruan se ky është një nga pak vendimet ku edhe socialistët bashkohen, duke shtuar se “qeveria heziton sepse është ortake në çmimet e larta qe vendos bordi”.

“Vendimi i GJK është i qartë dhe në mbrojtje të xhepave të shqiptarëve që paguajnë më shtrenjtë naftën prandaj nuk ka asnjë arsye logjike dhe ligjore që bordi oligarkëve të jetë në fuqi. I takon qeverisë që të veprojë, por e kuptoj dhe hezitimin e saj pasi është ortake në çmimet e larta që vendos bordi. Prandaj i bëj thirrje dhe parlamentit që të mblidhet për të kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtij bordi”, - shprehet deputetja.

Ajo thotë se janë deputetët që mbrojnë interesin e qytetarëve shqiptarë dhe jo një klub oligarkësh që u vendos atyre çmimin e lartë të naftës duke ua shtrenjtuar jetën më shumë se sa inflacioni socialist!

“Në shkelje të plotë të konkurrencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin. Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën. E gjitha kjo kur ka një vendim të GJK që flet qartë, kur jemi përballë një situate që nuk është më emergjente dhe kur çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar!

Jam e bindur që ka shumë prej kolegëve socialistë që mund të ndajmë shumë mendime të ndryshme por puqemi pikërisht në çmendurinë e këtij bordi sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon Tabaku.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë