Drejtësia

Bordi i Naftës shpëtoi për 1 votë, 4 argumentet kundër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Bordi i caktimit të çmimit të karburanteve në Shqipëri ka shpëtuar vetëm për një votë nga shkrirja, duke mos pasur fatin e Bordit të Transparencës për vendosjen e ushqimeve bazë.

Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese ka qenë pesë vota pro dhe katër kundër të nëntë anëtarëve.

Në vendimin e zbardhur katër anëtarët që kanë qenë kundër vendimit janë Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Fiona Papajorgji dhe Marjana Semini. Ndërsa pro ishin kryetarja Holta Zaça dhe anëtarët e tjerë Elsa Toska, Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Genti Ibrahimi. Me pesë votat pro Gjykata Kushtetuese për kërkesën e PD-së vendosi vetëm që shfuqizojë shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të Aktit Normativ. Bëhet fjalë pikërisht për këtë përkufizim që shfuqizohet: “Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit”.

Gjyqtarja Fiona Papajorgji në mendimin e saj kundër, ka kontestimet se “Gjykata duhet të kishte vendosur edhe shfuqizimin e shprehjes “çdo situatë tjetër e krijuar në tregun ndërkombëtar, e cila ka sjellë deformime në tregun vendas”, të parashikuar në shkronjën “d” të pikës 1 të nenit 21/1 të aktit normativ nr. 5/2022, pasi cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, sepse nuk respekton kriterin kushtetues të kufizimit vetëm me ligj në kuptimin substancial të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës, për shkak të paqartësisë së formulimit të saj”.

Anëtari Ilir Toska është më i ashpër në qëndrimin e tij, duke kërkuar shfuqizimin e disa neneve. “Për sa kohë që në vetvete mënyra e funksionimit të Bordit në drejtim të numrit të anëtarëve që përfaqësojnë interesin privat dhe përzgjedhjes së tyre është e papajtueshme me Kushtetutën, pasi nuk respekton një raport të drejtë përfaqësimi të një kategorie të caktuar subjektesh, çdo dispozitë e ndërlidhur me të në përmbajtje, që përcakton marrëdhëniet e këtyre anëtarëve me Bordin dhe rolin ose pozicionin e tyre përgjatë kësaj veprimtarie, në rastin konkret pika 4, fjalia e dytë, e nenit 21/2, që parashikon se në rastet e konfliktit të interesit të përfaqësuesve të shoqërive hidrokarbure, ndaj të cilëve merret masë administrative, përfaqësuesi merr pjesë pa të drejtë vote në mbledhjen e Bordit dhe përjashtohet nga vendimmarrja, është, gjithashtu, e papajtueshme me Kushtetutën”, shprehet Toska.

Për të gjitha argumentet e mësipërme, Toska vlerëson se përmbajtja e nenit 21/1, pika 1, shkronja “d” dhe pika 2, nenit 21/2, pika 2, shkronja “d”, pika 4, fjalia e dytë dhe pika 6, fjalia e parë, nenit 21/3, shkronja “ç” dhe nenit 21/10, pika 2, në tërësinë e saj, të ligjit nr. 8450/1999, shtuar me aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 5/2002, janë të papajtueshme me Kushtetutën, ndaj duhej të ishte vendosur shfuqizimi i tyre.

Ndërsa anëtarja Marsida Xhaferllari shkruan se “vlerësoj se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 5/2022 dhe nr. 8/2022 nuk provohet të jenë nxjerrë në kushtet e nevojës dhe urgjencës, ndaj këto akte dhe ligjet miratuese të tyre nuk janë në përputhje me parashikimet e nenit 101 të Kushtetutës dhe, si të tilla, duheshin shfuqizuar”.

Anëtarja Marjana Semini, e cila ka qenë kundër edhe Bordit të Ushqimeve, konteston përbërjen e bordit me anëtarë të 5 kompanive me xhiron më të madhe . “Për të njëjtën arsye do të riqëndroj në të njëjtën pozitë edhe për shfuqizimin e nenit 21/2 të ligjit për shkak të krijimit të një pabarazie në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në treg, duke neglizhuar krejtësisht interesat e këtij grupi të madh interesi”, thekson Semini.

Sipas saj, Gjykata nuk e merr në analizë faktin që neni 21/2 ka neglizhuar krejtësisht interesat e konsumatorit, sepse fokusohet vetëm tek operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë në tregun e hidrokarbureve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë