Futboll

Surprizat e Champions, Real bie në Rusi, ndalen United dhe Bayern

Këtë të martë mund ta quajmë nata e surprizave në Champions League. Kampionët në fuqi të Real Madrid munden në Rusi, Bayern Munich barazon në fushën e tij me Ajax, Manchester United barazon në “Old Traford”, ishin vetëm disa nga rezultatet befasuese të mbrëmjes së parë të raundit të dytë të Champions League. Seria e ndeshjeve filloi me fitoret e Manchester City dhe Juventus, por në mbrëmje kanë ndodhur befasitë e mëdha, ku ekipet e mëdha kanë dwshtuar.

Në ndeshjen e orës 18:55, Manchester City është rikthyer te fitorja në Champions, pas humbjes në ndeshjen e parë. Skuadra e Guardiolës ka përmbysur Hoffenheim, duke fituar 1-2. Goli i venasdve që në minutën e parë ka gjetur në befasi anglezët, që megjithatë reaguan me dy gola të Aguerro dhe Silva.

Pasdite edhe Juventus ka bërë detyrën, duke fituar me zviceranët e Yang Boys. Pa Ronaldon në fushë, por torinezët kanë fituar 3-0. Ka mjaftuar Pablo Dybala që bardhezinjtë të koleksionojnë tre pikët e radhës dhe tashmë kanë 6 pikë dhe renditen në krye të grupit.

Nga surprizat e mëdha që ndodhën në ndeshjet e darkës, ajo që pritej më pak, ishte humbja e Real Madrid në Rusi. “Los Blancos” janë mposhtur nga  CSKA Moscow 1-0. Rusët shënuan shumë shpejt dhe arritën ta mbrojnë fitoren deri në fund. Madrilenët kanë provuar me të gjitha format, por nuk ia kanë dalë të shënojnë, duke pasur në disa raste edhe fatin kundër. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Roma ka fituar thellë 5-0 me Plzen. Pas humbjes në ndeshjen e parë, Romanët nuk janë kursyer duke shënuar 5 gola për tre pikët e para në Champions League këtë edicion.

Surprizë ka qenë edhe ndalesa e Bayern në “Allianz Arena” nga holandezët e Ajax. 1-1 është mbyllur sfida, me të dyja ekipet që kërkuan të shënojnë golin e fitores në forma në ndryshme, por deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar. Në Athinë, AEK është mposhtur nga Benfika. Portugezët kanë triumfuar 2-3, në një ndeshje që mund ta kishin humbur, por arritën ta ruajnë përqendrimin deri në fund.

Sakaq vijon kriza e Manchester United që në këtë ndeshje të dytë të Champions ka barazuar me Valencia. “Djajtë e kuq” nuk kanë treguar në asnjë moment që dëshironin ta fitonin këtë përballje në “Old Traford” kundër një Valencia që ishte vigjilente dhe e rrezikshme në shumë momente.

Ndeshja tjetër e kësaj mbrëmje të Champions League, mes Lyon dhe Shaktar është mbyllur në barazim 2-2. Francezët, pas fitores në ndeshjen e parë janë ndalur këtë herë nga ukrainasit në shtëpinë e tyre, duke vënë në pikëpyetje pozitat e tyre në këtë grup.

Tabela e rezultateve:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë