Futboll

Tension e dhunë në Superiore, dështon testi pa policë

Nga Fatjon Rupi - Ka nisur në mënyrën më të shëmtuar kampionati i 80-të i Superiores. Që në javën e parë tension dhe dhunë mes tifozerive të dy skuadrave, duke bërë që sfida mes Skënderbeut dhe Partizanit, e luajtur në stadiumin e Korçës, të ndërpritet për gati 15 minuta. Ka dështuar kështu testi për organizimin e ndeshjeve të futbollit pa Policinë e Shtetit dhe vetëm me polici private. Duket një mision i pamundur që ndeshjet tona të luhen pa policë.

Ishte minuta e 72-të e ndeshjes, kur ka një nisur një përleshje masive në stadiumin “Skënderbeu”. Shkëndijën e ndezën tifozët e Partizanit, të cilët sulmuan autoambulancën dhe zjarrfikësen, më pas zbritën në fushë, duke kaluar kangjëllat në sektorin ku ishin vendosur. Kanë reaguar menjëherë tifozët e Skënderbeut, duke bërë të njëjtën gjë edhe ata. Shumë tifozë në fushë, sharje e ofendime pa fund dhe sende të forta drejt njëri-tjetrit. Vetëm pas 15 minutash situata është qetësuar disi dhe loja ka nisur për të mbyllur minutat e mbetura të ndeshjes.

Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, dhe policët, duke qetësuar tifozët 

Ndeshjen e ka fituar Skënderbeu, me rezultatin 1-0. Ekipi kampion në fuqi ka qenë me fat, pasi ka fituar një 11-metërsh në kohën shtesë. Gjergji Muzaka ka gjuajtur saktë, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, që në këtë kampionat vjen me një kontigjent më pak kualitativ. Skënder Gega debuton me humbje në stolin e Partizanit, çka do të thotë se të kuqtë duhet të punojnë më shumë për të qenë në nivelin e duhur. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që kanë treguar kujdes për të mos pësuar dhe për të bërë sa më pak gabime. Muzaka ka humbur një rast në pjesën e parë, kurse Mala në të dytën. Një debutim ëndrrash për trajnerin e ri të korçarëve, Orges Shehin, i cili në dy ndeshje ka fituar trofeun e Superkupës, pasi mundi 3-2 Laçin dhe tashmë ka mundur edhe një rival direkt si Partizani.

Skënderbeu feston fitoren me tifozët e tij

Gjithsesi, më shumë se loja e dy skuadrave në fushë, vëmendjen e mori situata e dhunshme e krijuar në shkallët e stadiumit nga tifozët, të cilët e kanë dhënë menjherë sinjalin për FSHF-në dhe klubet se duhet një organizim tjetër për të pasur siguri në ndeshjet e Superiores. Pa policë duket e pamundur. Ka reaguar zyrtarisht për këtë incident FSHF-ja, edhe pse pak me vonesë. Në qëndrimin zyrtar të saj thuhet se kjo ngjarje do të analizohet me kujdes dhe do t’u kalojë komisioneve përkatëse, ndërkohë që kërkon të ketë komunikim më të mirë mes klubeve dhe tifozëve. Ja deklarata e plotë e FSHF-së:

“FSHF ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim incidentin e ndodhur në Korçë gjatë ndeshjes hapëse të kampionatit. Për çdo moment aparati drejtues ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e ndeshjes për të risjellë në stabilitet situatën e agravuar mes tifozerive. Për fatin e mirë, situata u rikthye në normalitetin që duhet, por karshi një episodi të tillë FSHF nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente. Organizimi dhe mbarëvajtja e garës mbetet prioritet absolut i saj. Incidenti në stadiumin e Korçës duhet të jetë një moment emergjent reflektimi për sa i përket sigurisë në stadiume dhe prezencës së Policisë së Shtetit në to. Tensioni i prodhuar në Korçë nuk mund të përligjë në asnjë moment amendime ligjore të parakohshme dhe që lëkundin sigurinë publike në stadiume.

Një ngjarje e tillë dëshmoi pikërisht që për një çështje të tillë kërkohet një reflektim i menjëhershëm institucional. Nga ana tjetër, FSHF kërkon të risjellë për të disatën herë në vëmendje të klubeve, rritjen e komunikimit të tyre me tifozeritë përkatëse, sensibilizimin e vazhdueshëm me grupimet e tifozerive për të garantuar më shumë stabilitet dhe për të shmangur sa më shumë momente të tilla agravuese dhe jashtë kontrollit në shkallët e stadiumit. Pjesa komunikuese me tifozeritë e tyre, është dhe duhet të mbetet një nga prioritetet e domosdoshme. Për incidentin në Korçë gjithçka do të analizohet me detaje referuar raporteve nga zyrtarët e ndeshjes për ti kaluar më pas edhe pranë komisioneve përkatëse për shqyrtim dhe vendimmarrje. FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për ti dhënë një zgjidhje garantuese këtij problemi, me gjithë barrierën ligjore që imponoi një situatë të tillë!”

Pas ndeshjes, trajneri i Skënderbeut,Orges Shehi, u shpreh: “Ishte një fitore me vlera ndaj një rivali direkt. Më vjen që ekipi është në vazhdën e një javë më parë. Nuk kishim ritmin e duhur ndaj Laçit, por dua ta komplimentoj skuadrën, pasi ishim më lart se kundërshtari. Deri në minutën e 72-të, kur ndodhi incidenti, kishim ritëm”. Kurse trajneri i Partizanit, Skënder Gega, theksoi: “Kishim pretendimet tona në këtë ndeshje, por çaluam në mesfushë, ku mendoja se kishim pikën më të fortë. Hebaj nuk kishte mbështetje, nuk jam i kënaqur. Edhe sikur të barazonim, nuk do të isha i kënaqur. Nuk dua të flas për penalltinë. Kemi nevojë për korrigjime në disa reparte, por them se ekipi e ka stofin e kampionit. Çani? Ai është jashtë çdo parametri fizik, nëse e merr veten, çdo gjë është e hapur”.

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi

Java e parë e kampionatit vazhdon me ndeshjet Tirana-Kamza dhe Luftëtari-Kastrioti, që luhen të shtunën, dhe Teuta-Flamurtari dhe Kukësi-Laçi, që luhen të dielën. Me shumë interes pritet ndeshja e parë e Tiranës, që kthehet në Superiore dhe luan derbin e vogël me Kamzën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë