Keshilla

Supë pule apo çaj? Çfarë të konsumoni kur jeni sëmurë dhe nuk keni oreks

Ftohjet dhe gripi mund t'ju ulin oreksin, pikërisht atëherë kur keni më shumë nevojë për ushqim. Ekspertët tregojnë pse nuk keni uri kur jeni me grip dhe rëndësinë e ushqyerjes në sezone virozash.

“Kur dikush që ndihet i sëmurë humb oreksin ose etjen, zakonisht është një shenjë se sistemi i tyre imunitar po funksionon në mbingarkesë”, shpjegon Colleen Tewksbury, dietologe e shkencës së të ushqyerit në Universitetin e Pensilvanisë.

Kjo është një sfidë, shton ajo, sepse trupi ynë ka nevojë për lëngje, si dhe për proteina, karbohidrate, vitamina dhe minerale.

“Është vërtetë e vështirë t’i plotësoni këto nevoja por duhet ta provoni. Ushqyerja e ekuilibruar mund të përshpejtojë rikuperimin tuaj, të rrisë nivelet e energjisë dhe të ndihmojë në ndërtimin e sistemit tuaj imunitar”, thotë Shea Mills, dietologe.

Në përgjithësi, thotë ajo, është e rëndësishme të konsumoni një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar kur jeni të sëmurë.

Arsyet pse shpesh nuk mund të hamë kur jemi të sëmurë janë komplekse dhe nuk kuptohen plotësisht.

Sistemi imunitar kërkon shumë energji për të luftuar infeksionin, prandaj është mirë të konsumoni ushqim të shëndetshëm gjatë sëmundjes. Por imunobiologu i Universitetit Yale, Ruslan Medzhitov, thotë se trupat tanë në fund të fundit janë optimizuar jo për të na bërë të ndihemi më mirë, por për të mbijetuar dhe mund të mos e perceptojnë gjithmonë një infeksion si kërcënimin e tyre më të madh.

Trupi bën kompensime fiziologjike për të marrë energji gjatë një sëmundjeje, vëren Medzhitov, dhe shkencëtarët janë ende duke eksploruar se si funksionon kjo. Normalisht, trupi ushqehet kryesisht nga glukoza nga ushqimi. Kur ‘agjëroni’, përfshirë edhe gjatë sëmundjes, ai përdor acidet yndyrore si një burim i ruajtur i energjisë së lartë. Ky ndërrim i burimeve të energjisë mund të sigurojë mbrojtje për indet dhe organet trupore kundër inflamacionit të shkaktuar nga disa patogjenë.

Më tej, Tewksbury shton se njerëz të ndryshëm gjithashtu mund të përgjigjen ndryshe ndaj të njëjtave sëmundje.

“Nga pikëpamja fiziologjike është në thelb një përgjigje ndaj stresit dhe të gjithë reagojnë ndaj stresit ndryshe,” shpjegon ajo.

Çfarë duhet të hani dhe pini kur jeni të sëmurë?

Trupi juaj dëshiron një gamë dhe kombinim specifik të lëndëve ushqyese, niveleve të proteinave, karbohidrateve, vitaminave dhe më shumë, edhe pse Medzhitov thotë se këto janë të ndryshme, duke ndryshuar nga shtatzënia tek rritja apo sëmundjet që kalohen gjatë jetës.

Mills sugjeron që ngrënia e porcioneve më të shpeshta, në madhësi të vogla mund të jetë më e shijshme sesa vaktet me përmasa më të mëdha me të cilat jemi mësuar kur jemi të shëndetshëm. Duke synuar të shtoni proteina dhe karbohidrate ju mund të mbani një ekuilibër të mirë të vitaminave dhe mineraleve.

Me këtë formulë lindi edhe legjenda e “supës së pulës”.

“Supat e pulës i kanë të gjithë ata përbërës, së bashku me vitaminat dhe mineralet”, thotë Tewksbury. Supat e nxehta mund të ndihmojnë gjithashtu në infeksionet e traktit të sipërm respirator.

Mills thotë se disa vitamina dhe minerale gjithashtu mund të synohen si pjesë e një diete të shëndetshme për të sëmurët. Vitamina C, me burim nga frutat dhe perimet, është një antioksidant i fortë që mbështet qelizat imune pasi ato parandalojnë dhe luftojnë infeksionet, ndërsa vitamina D gjithashtu mund të përmirësojë reagimin imunitar dhe të ulë kohëzgjatjen e sëmundjes.

Mills gjithashtu vë në dukje se është e rëndësishme të përqendroheni në pije. Hidratimi është një pjesë kyçe e luftimit të pothuajse çdo sëmundjeje dhe mund të jetë veçanërisht sfiduese kur trupi po humbet lëngjet nga të vjellat, diarreja ose djersitja nga ethet.

“Pini pije pa kafeinë si çaj bimor, ujë, lëngje frutash për të nxitur hidratimin,” thotë ajo. Pirja e një smoothie mund të shtojë gjithashtu lëndë ushqyese thelbësore kur nuk keni oreks për ushqime.

Dëgjoni trupin tuaj

Ndërsa ushqimet nuk shërojnë sëmundjet, disa mund të sjellin lehtësim: çaji i nxehtë mund të jenë qetësues, për shembull.

Por ushqimet e tjera mund të ndihmojnë dhe dëmtojnë, në varësi të personit. Speci djegës mund të ndihmojë në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes por gjithashtu mund të shkaktojë të përziera. Pijet e ftohta, gjithashtu, mund të ndihmojnë me dhimbjen e fytit, shpjegon Tewksbury, por "nëse keni shumë prodhim të mukusit, në fakt mund ta përkeqësojë atë".

Medzhitov beson se vetëm të dëgjosh trupin tënd dhe preferencat e tij gjatë sëmundjes është ndoshta strategjia më e mirë. Ajo që iu duhet, me sa duket, është më shpesh ajo që dëshiron trupi juaj.

Burimi: National Geographic. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë