Bota

Sulmi me hark dhe shigjetë në Norvegji, vrasësi u besohet shërbimeve sociale

Danezi 37-vjeçar, përgjegjës për sulmin me hark dhe shigjetë në Kongsberg, Norvegji, në të cilin humbën jetën 5 persona, nuk do të shkojë në burg për momentin, por i është besuar shërbimeve sociale për katër javë, dy prej të cilave në izolim "pas një vlerësimi të kushteve të tij psikologjike". 

Gjykata vendosi që paraburgimi i tij të zhvillohet në një institucion mjekësor. Prokurori publik e kishte njoftuar këtë para vendimit të gjyqtarit.

"Ai u trajtua nga shërbimet shëndetësore të enjten në mbrëmje pas një vlerësimi të shëndetit të tij", shpjegoi prokurorja Ann Iren Svane Mathiassen. Vlerësimi i është besuar dy ekspertëve.

Kështu, Espen Andersen Brathen - i cili ndërkohë ka pranuar përgjegjësitë e tij - nuk do të shkojë në qeli, por do të lihet nën përgjegjësinë e mjekëve. 

"Në dy javët e para, 37-vjeçari nuk do të ketë vizita ose qasje në media", tha prokurori. Duke folur në “TV2”, Mathiassen, gjithashtu specifikoi se nuk e konsideronte masakrën një ngjarje të paramenduar nga autori. 

"Nuk ka asnjë arsye për të besuar se sulmi ishte planifikuar. Për më tepër, nuk ka asgjë që sugjeron se ka pasur një situatë që shkaktoi sulmin në dyqan”, - shtoi ai.

Siç ndodhi në rastin e Anders Behring Breivik, i cili iu nënshtrua një regjimi veçanërisht të butë burgu, pavarësisht se ishte dënuar për masakrën e Utoya-s, vendimi i prokurorit tani mund të shkaktojë polemika dhe probleme për ekzekutivin e ri të liderit të Laburistëve, Jonas Gahr, i cili, për të kërkuar një ekzekutiv me shumicë femrash, ka thirrur në ekip dy të mbijetuar nga masakra në Utoya: Tonje Brenna, 33 vjeçe, të cilës i është besuar Edukimi Publik dhe Jan Christian Vestre, 35 vjeç, ministër i Tregtisë dhe Industrisë. 

Vetë autoritetet nuk e kanë përjashtuar ende pistën e një sulmi terrorist nga hetimi ndaj Espen Andersen Brathen. I konvertuar në mysliman dhe i njohur tashmë për policinë në Oslo, si i radikalizuar, Brathen, "kishte dhënë sinjale, ai ishte nën vëzhgim vitin e kaluar, pastaj doli nga radari", - shpjegoi Ole Bredrup Saeveru nga policia. 

Bir i një një nëne daneze dhe babai norvegjez, Brathen kishte marrë një urdhër ndalimi gjashtëmujor vitin e kaluar, pasi kërcënoi se do të vriste një anëtar të familjes. Por ai u dënua gjithashtu për vjedhje dhe blerje të sasive të vogla të hashashit në vitin 2012. 

Së fundmi, sipas disa mediave norvegjeze, në vitin 2017, ai postoi një video në YouTube - tani e hequr - në të cilën njoftoi konvertimin e tij në mysliman, duke e quajtur veten, në tone kërcënuese, "një lajmëtar".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë