Bota

Sulmet në Rripin e Gazës, Izraeli: Kemi vrarë komandantin ushtarak të Hamasit

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka konfirmuar vrasjen e komandantit ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh, gjatë një bastisjeje në Rripin e Gazës.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Katz deklaroi se “komandanti i katërt i krahut ushtarak të organizatës Hamas në Gaza u eliminua” dhe shtoi se operacioni u krye nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe shërbimi i inteligjencës Shin Bet.

Ai përgëzoi forcat izraelite për operacionin, duke theksuar se Izraeli mbetet i përkushtuar për të ndëshkuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit.

“Ne jemi të përkushtuar për të eliminuar të gjithë ata që udhëhoqën masakrën e 7 tetorit dhe kështu do të jetë: të gjithë janë të dënuar me vdekje, kudo që të jenë”, shkroi ai.

Katz gjithashtu përsëriti qëndrimin e qeverisë izraelite se Hamasi nuk duhet të ketë më asnjë rol në administrimin e Gazës, as në aspektin civil dhe as ushtarak.

Në një tjetër deklaratë, ai tha se Izraeli po shqyrton edhe një “plan emigrimi vullnetar” nga Rripi i Gazës, duke shtuar se ai do të zbatohet “në kohën dhe mënyrën e duhur”.

Deklaratat e ministrit vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa operacionet ushtarake izraelite në Gaza vijojnë dhe situata humanitare mbetet kritike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë