Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar ndaj qëndrimeve të mbajtura nga kryeministri Edi Rama kundër bojkotit të mbledhjes së liderëve të rajonit të Ballkanit, të takimit të zhvilluar në Tiranë, si pjesë e nismës së minishengenit. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Kurti shprehet se rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë dhe se asnjë popull nuk mund të qëndrojë mes tyre. Reagimi i pretendentit të postit të kryeministrit u bë me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Parimet e gjithëpërfshirës dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi në Tiranë kalon nëpër Prishtinë . Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim!”, shkruan Albin Kurti.
Në takimin e zhvilluar në Tiranë, tre ditë më parë Lëvizja Vetëvendosja zhvilloi një protestë duke kundërshtuar praninë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic. Një protestë që zgjati disa orë dhe ku u bë thirrje kundër pranisë së presidentit serb. Kosova dhe Bosnje-Hercegovina ishin të vetmet shtetet që nuk morën pjesë në këtë samit, ndërsa presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç u bashkua vetëm ditën e dytë.
Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp e quajti të pakuptimtë vendimin e Kosovës, ndërsa tha se kjo po i çon në një rrugë qorre për interesa të politikës së brendshme. “Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe, dhe ilaçet nuk jemi të ftuar t’i shpikim, mjafton të shohim si kanë funksionuar në realitete të ngjashme, dhe se si dialogu, dakordësia për të mos rënë dakord me gjithçka, por për të punuar së bashku mbi atë që biem dakord, i kanë krijuar gjeneratave të tjera kushte shumë të mira se të shkuarat”, tha Rama.

Edhe presidenti Vuçic do të reagonte duke theksuar se Kosova nuk sheh as të tashmen dhe as të ardhmen. “Nuk ka kushte për asnjë, të gjithë janë të mirëpritur. Ne jemi në rrugën tona Evropiane, kanë kaluar 6 vite kur kemi hapur bisedimet. Ne duhet t’i lutemi Zotit dhe pastaj duhet t’i lutemi atyre 2-3 kapituj? Jo nuk dua të poshtëroj as veten time, as popullit tonë. Unë popullit i them që po e bëjmë punën tonë dhe ata ta vlerësojnë. Këtë e them hapur, gjithçka varet nga politika e tyre në të ardhmen. Ne mund të jemi më të mirët, por asgjë s’do të përfitojmë, sepse ka shtete evropiane që nuk do të ishin të afta të hapnin bisedimet me BE. Nëse ne do të bënim atë që bëjnë disa shtete të tjera të Evropës, do të na kritikonin shumë në Evropë, të katërt vendet tona. Le të bëjmë ato që varen nga ne. Mënyra si ne organizojmë rajonin tonë, varet nga ne dhe jo nga fuqitë e mëdha”, tha Vuçiç.

Pjesëmarrja e kohës në këtë takim të tretë në Tiranë u refuzua nga vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i kishte dërguar personalisht ftesë kryeministri Rama. Kosova ende nuk ka një qeveri të krijuar të pas zgjedhjeve, dhe se Vetëvendosja dhe LDK janë dy parti që po negociojnë prej kohësh formimin e qeverisë së re, por ende pa një rezultat. Sakaq me 26 dhjetor pritet të konstituohet edhe Parlamenti i dalë pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.