Gazeta Si – Të paktën 13 persona u vranë në sulmet gjatë natës të kryera nga ushtria ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe qytete të tjera në vend.
Kjo u raportua nga kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko. Të paktën 34 persona u plagosën në sulm, me 32 prej tyre aktualisht të shtruar në spital.
“Kiev është nën sulm nga raketat balistike dhe dronët. Shpërthimet mund të dëgjohen në të gjithë qytetin”, shkroi kryebashkiaku, Vitali Klitschko në Telegram, ndërsa sulmet ishin në vazhdim.
Sipas portalit ukrainas “The Kyiv Independent”, gjatë ofensivës, Rusia nisi dhjetëra raketa lundruese dhe balistike në Kiev, përveç kryerjes së sulmeve në shkallë të gjerë me dronë në disa rajone.
Sulmi shkatërroi ndërtesa banimi, dëmtoi një hotel në qendër të kryeqytetit dhe i vuri flakën ndërtesave shumëkatëshe.
Vetëm disa orë para sulmit, presidenti Volodymyr Zelenski, kishte paralajmëruar se shërbimet e inteligjencës kishin informacione në lidhje me një ofensivë të afërt ruse në shkallë të gjerë, duke i kërkuar popullsisë t’i kushtonte vëmendje të madhe sirenave të sulmeve ajrore.
Pas sulmit, vetë Zelenski u kërkoi Shteteve të Bashkuara licenca për të prodhuar raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.
“Furnizimet për mbrojtjen ajrore të Ukrainës janë një përparësi absolute dhe kritike. Ne gjithashtu po mbështetemi shumë në një vendim nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me licencat Patriot dhe format e tjera të bashkëpunimit”, deklaroi presidenti ukrainas në një postim në Facebook.
Ministria ruse e Mbrojtjes shkroi në Telegram se Rusia kishte kryer një sulm masiv gjatë natës në Kiev dhe vende të tjera duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë nga ajri, toka dhe deti, si dhe dronë.
Ministria shtoi se kishte goditur objekte ushtarake dhe energjetike rreth Kievit, si dhe aeroporte ushtarake në disa rajone – përfshirë Poltava dhe Dnipropetrovsk – në atë që e përshkroi si hakmarrje për një sulm ukrainas ndaj infrastrukturës civile.
“Sanksione të reja sot. Vetëm fjalët e dënimit nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit; vetëm mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presioni në rritje mbi Moskën mund ta bëjnë këtë. Sot, unë do të propozoj sanksionimin e subjekteve shtesë që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë në përgjigje të sulmeve. Sa më shumë që Moska sulmon civilët, aq më shumë sanksione duhet të vendosen. Ne do të vazhdojmë të rrisim koston e operacionit derisa Rusia të kuptojë se nuk mund të fitojë”. Kjo u postua në X nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje