Treg

Studimi/ Shqipëria ka 60% të forcës së punës me arsim fillor, niveli më i lartë në rajon

Një studim i ditëve të fundit të “Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë” vlerësoi se në Shqipëri 60% e forcës së punës është me arsim të ulët, ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit, ku ky grup ka një peshë më të ulët në forcën e punës, nën 40%.

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri vetëm 10% e popullsisë në moshë pune ka arsim profesional.

Në vendet të tjera, Bosnjë, Mali i Zi dhe Serbi dominon grupi me arsim të mesëm profesional ose të mesëm të përgjithshëm me rreth 50%, ndjekur nga të arsimuarit me nivel të ulët arsimi.

Shqipëria ndiqet gjithashtu nga Kosova e cila ka rreth 40% të popullsisë në moshë me nivel të ulët arsimi.

Ekspertët e Vjenës parashikojnë që deri në vitin 2030, popullsia me edukim të ulët do të vijë në rënie në të gjitha vendet e Ballkanit, por në Shqipëri dhe Kosovë ndryshimi do të jetë më i dukshëm për shkak të hapësirës së madhe për përmirësim.

Megjithatë tregu i punës në Shqipëri do të jetë nën ndikimin negativ të emigracionit.

Flukset neto të emigracionit do të rriten në  të gjitha vendet e Ballkani dhe sipas ekspertëve të Vjenës, në Shqipëri dhe Bosnjë emigracioni do të përfshijë të gjitha grupet arsimore të popullsisë në moshë pune pa përjashtim deri më 2030.

Në vendet e tjera të rajonit pritet që deri në vitin 2030 të ketë një rikthim të emigrantëve të arsimuar.

Sipas një skenari bazë që ka ndërtuar Instituti i Vjenës në lidhje me ecurinë e tregjeve të punës në Rajon deri në vitin 2030, shumë shpejt vendet e Ballkanit do të përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Për shkak edhe të emigracionit të lartë Shqipëria do të vuajë mungesën e fuqisë punëtore me arsim profesional.

Në përgjithësi i gjithë rajoni do të vuajë për punëtorë edhe të kualifikimit të ulët, për shkak se modelet ekonomike kërkojnë më  së shumti punonjës pa arsim.

Në një skenar të mundshëm ku ndryshon struktura e ekonomisë, tregu i punës në Shqipëri do të shfaqte mungesë për punonjës me arsim të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë