Për shumicën e njerëzve, vizita te dentisti mbetet një nga përvojat më të pakëndshme. Sondazhe të ndryshme tregojnë se mbi 70% e të rriturve kanë frikë nga trajtimet dentare, ndërsa shumë prej tyre shmangin kontrollet periodike për shkak të ankthit ose mosbesimit ndaj mbushjeve dhe ndërhyrjeve tradicionale.
Megjithatë, një zhvillim i ri shkencor mund ta ndryshojë këtë realitet. Studiues nga universitete prestigjioze në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe po punojnë për një teknologji revolucionare që synon rigjenerimin e dhëmbëve natyralë, duke zëvendësuar mbushjet, kurorat dhe implantet me inde të gjalla të krijuara nga vetë organizmi.
Nga mbushjet artificiale te rigjenerimi biologjik
Sot, trajtimet dentare bazohen kryesisht në mbushje me materiale sintetike ose në zëvendësimin e dhëmbëve me implante. Edhe pse këto metoda janë efektive, ato nuk janë të përhershme.
Mbushjet dentare zakonisht zgjasin nga 5 deri në 20 vjet dhe shpesh kërkojnë ndërhyrje të përsëritura. Implantet, nga ana tjetër, nuk përmbajnë nerva, ndaj pacientët nuk ndjejnë presionin gjatë përtypjes, gjë që mund të çojë në dëmtime të tyre. Për më tepër, bakteret mund të grumbullohen rreth implantit, duke shkaktuar infeksione ose dëmtime të mishrave të dhëmbëve.
Pikërisht për këtë arsye, studiuesit po përqendrohen në një qasje krejtësisht të re: shërimin biologjik të dhëmbëve, në vend të riparimit të tyre me materiale artificiale.
Ekspertët theksojnë se shëndeti oral është shumë më i rëndësishëm sesa mendohej dikur.
Infeksionet e mishrave të dhëmbëve janë lidhur me një rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe madje edhe me zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit. Ndërkohë, humbja e dhëmbëve ndikon në ushqyerje, të folur, buzëqeshje dhe mirëqenien psikologjike, duke ulur ndjeshëm cilësinë e jetës.
Një nga projektet më premtuese drejtohet nga biokimistja Hannele Ruohola-Baker në Universitetin e Uashingtonit.
Pas studimeve mbi dhëmbët e pjekurisë, ekipi i saj zbuloi se qelizat që prodhojnë smaltin e dhëmbit zhduken pasi dhëmbi del plotësisht në gojë. Për këtë arsye, smalti nuk rigjenerohet natyrshëm.
Për të kapërcyer këtë pengesë, studiuesit përdorën qeliza staminale dhe sinjale kimike për t’i shndërruar ato në qeliza që prodhojnë smalt dhe dentinë. Këto qeliza krijuan në laborator një strukturë të ngjashme me një dhëmb të vogël, e cila prodhon vetë proteinat e smaltit.
Në të ardhmen, këto proteina mund të përdoren si një lloj “mbushjeje biologjike”, ose të aplikohen mbi dhëmbët e çarë për të nxitur rigjenerimin natyral.
A do të rriten një ditë dhëmbët e rinj?
Objektivi afatgjatë i shkencëtarëve është shumë më ambicioz: krijimi i një dhëmbi të plotë në laborator.
Ideja është që qelizat e programuara të vendosen në nofullën e pacientit dhe organizmi të vazhdojë vetë procesin natyror të formimit të dhëmbit.
Edhe studiues në King’s College London po zhvillojnë organoide dentare- struktura biologjike që mund të shndërrohen në dhëmbë funksionalë.
Në eksperimentet e para, qelizat e mishrave të dhëmbëve të njeriut u kombinuan me qeliza formuese të dhëmbëve nga minjtë, duke krijuar struktura me rrënjë në zhvillim. Tani studiuesit po përpiqen të riprodhojnë të gjithë procesin biologjik pa përdorur qeliza shtazore.
Çfarë mund të mësojmë nga kafshët?
Ndryshe nga njerëzit, disa kafshë kanë aftësinë të zëvendësojnë vazhdimisht dhëmbët.
Peshkaqenët prodhojnë dhëmbë të rinj gjatë gjithë jetës, elefantët dhe kangurët zhvillojnë disa seri, ndërsa derrat mbajnë në nofull sytha të rinj dhëmbësh edhe pasi janë rritur.
Kjo veçori u ka mundësuar studiuesve të Universitetit Tufts të krijojnë në laborator struktura dentare të ngjashme me ato njerëzore duke kombinuar qeliza njerëzore dhe qeliza dentare të derrit.
Pas tre muajsh zhvillimi në laborator, u formuan struktura që ngjanin me dhëmbë të vërtetë dhe zhvilloheshin pothuajse me të njëjtin ritëm si dhëmbët natyralë.
Megjithëse rezultatet janë premtuese, ekspertët paralajmërojnë se teknologjia nuk është ende gati për përdorim klinik.
Përpara se trajtimet të testohen tek njerëzit, kërkohen vite të tjera kërkimesh, eksperimente në kafshë dhe prova të gjera për sigurinë dhe efektivitetin.
Megjithatë, njohuritë e fituara nga këto studime mund të ndihmojnë jo vetëm stomatologjinë, por edhe zhvillimin e metodave për rigjenerimin e organeve, kockave dhe indeve të tjera të trupit.
Shkencëtarët besojnë se në dekadat e ardhshme vizita te dentisti mund të jetë krejt ndryshe nga ajo që njohim sot.
Në vend të shpimit të dhëmbit, vendosjes së mbushjeve apo implantimit të kurorave artificiale, pacientët mund të marrin një trajtim biologjik që do t’i lejojë organizmit të rindërtojë vetë dhëmbin e dëmtuar.
Edhe pse kjo teknologji është ende në fazat e hershme të zhvillimit, ekspertët janë optimistë se rigjenerimi i dhëmbëve do të bëhet një realitet në të ardhmen, duke hapur një epokë të re në stomatologjinë moderne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje