Ne rrjet

Studimi i PE: Krizat në Ballkan, “betejë” mes stabilitetit dhe demokracisë

Situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe krizën e thellë politike në Shqipëri, është rezultat i përpjekjeve për stabilitet nga njëra anë dhe respektimi i standardeve demokratike nga ana tjetër.

Në këtë përfundim ka mbërritur një studim i Qendrës Kërkimore të Parlamentit Europian, i publikuar së fundmi me udhëheqëse Elena Lazarou.

“Bazuar nga indikatorët e matjes, niveli i demokracisë në rajon është në rënie. Një numër shqetësues zhvillimesh shqetësuese janë identifikuar, si erozioni i demokracisë, sudnimi i ligjit, liria e medias dhe rritja e nacionalizmit”, vëren raporti.

Të gjitha këto kanë ndodhur nën sytë e Bashkimit Europian, përpjekjet e të cilit për të ruajtur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në kursin e reformave dhe përforcimit të standardeve demokratike kanë dështuar.

“BE ka përforcuar vëzhgimin e vendeve përkatëse, por është kritikuar se po promovon stabilitetin në dëm të demokracisë”, vijon raporti.

Autorët mendojnë se Ballkani Perëndimor është një test mbi kapacitetet e Bashkimit Europian për të mbështetur dhe forcuar demokracinë në vende të trazuara dhe roli i Brukselit vlerësohet si jetik për të shmangur tensionet, apo më keq akoma rikthimin e konflikteve të armatosura.

“Statusi i kandidatit i vendeve të Ballkanit Perëndimor i jep Bashkimit Europian një avantazh të qenësishëm në promovimin dhe eksportimin e vlerave dhe standardeve demokratike të unionit në këto vende”, thuhet në studim.

Raporti kujton se në vitin e fundit, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare dhe ekspertë të pavarur kanë raportuar për praktika zgjedhore të pandershme e manipulime, korrupsion në rritje, mungesë e llogaridhënies e goditje ndaj medias së lirë.

Në raportin për 2019 të Freedom House, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u klasifikuan si “pjesërisht të lira”. “Situata është gri gjithandej dhe ai pak progres aty-këtu e ka të pamundur që të shuajë situatën e ndezur politike”, citonte pak kohë më parë European Western Balkans.

Në studimin e Parlamentit Europian thuhet se përplasjet mes vendeve anëtare, rritja e populizmit brenda BE-së dhe zgjedhjet europarlamentare kushtëzuan qëndrimin e ngurtë të Brukselit ndaj vendeve të Ballkanit.

Studimi konfirmon se zgjerimi mbetet një temë delikate në shumë vende të anëtare të Bashkimit Europian, çka detyron këto vende që më shumë të përqendrohen tek çështjet gjeopolitike dhe stabiliteti i përgjithshëm i rajonit, sesa tek plotësimi i kritereve dhe reformave për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor.

 

Më Shumë