Ne rrjet

Studentët francezë u bashkohen jelekverdhëve: Reformë në arsim!

Edhe pse Franca ka disa nga kostot më të ulëta të arsimit në Europë, studentët francezë u janë bashkuar jelekverdhëve duke kërkuar një reformë tërësorë në sistemin e arsimit të mesëm dhe të lartë.

Që nga protestat e majit të vitit 1968 që paralizuan Francën dhe shkaktuan rrëzimin e Charles de Gaulle, qeveritë franceze kanë qenë të tmerruara nga perspektiva e përballjes me një front të bashkuar punëtorësh dhe studentësh.

Edhe pse universitetet franceze kanë qëndruar kryesisht larg protestave, kjo ndryshoi këtë javë kur nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët ju bashkuan jelekverdhëve për të kërkuar reforma arsimore.

Deri në 300 shkolla të mesme franceze iu bashkuan protestës mes skenave të vandalizmit, dhe përleshjeve të dhunshme midis policisë dhe studentëve.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë policinë pariziene duke detyruar dhjetra studentë të gjunjëzoheshin me duart pas kokës.

Të hënën, ministria franzeze e Arsimit tha se një e treta e shkollave nuk po zhvillojnë mësim. Nxënësit e shkollave të mesme janë zemëruar nga planet e Presidentit Macron për të ndryshuar provimin përfundimtar para hyrjes në universitet.

Ai planifikon po ashtu të zëvendësojë lëndët që nxënësit aktualisht zgjedhin të ndjekin si shkenca, letërsia apo historia, me më shumë kurse specifike. Ata kërkojnë shfuqizimin e një reforme të kaluar nga presidenti vitin e kaluar, e cila paraqet kritere më të rrepta përzgjedhjeje për universitetin.

https://www.youtube.com/watch?v=Qm7-8WhA05A

Kritikët thonë se lëvizjet e qeverisë shkaktojnë pabarazi mes shkollave të pasura dhe atyre më të varfra, periferike.

"Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa kërkesat tona të përmbushen," tha Jules Spector, kreu i sindikatës së studentëve për “France 24.

Bashkë me studentët, jelekverdhët janë mbledhur që në orët e para të së shtunës në kryeqytetin francez duke shënuar kështu fundjavën e pestë të demonstratave. Mijëra police po mundohen të mbajnë nën kontroll përleshjet e dhunshme.

Ekspertët thonë se trazirat mund të përhapen edhe në universitete, ku studentët janë të zemëruar ndaj planeve të qeverisë për të rritur tarifat për shtetasit jo anëtarë të BE-së në një përpjekje për të bërë universitetet franceze "më konkurruese".

Universiteti i Sorbonne mbylli kampusin e tij kryesor në Paris, në pritje të protestave të mundshme, ndërsa studentët në Nanterre dhe Rennes, tradicionalisht dy nga universitetet më të politizuara të Francës u hodhën po ashtu në protestë.

Një burim i madh shqetësimi për qeverinë franceze është paqëndrueshmëria e protestave të studentëve, të cilat kanë qenë gjithnjë të pakontrollueshme. Në krye të kërkesave të tyre, nxënësit kanë shprehur solidaritet me jelekverdhët.

Kjo protestë filloi pesë javë më parë, fillimisht kundër rritjes së taksave të karburantit, por që atëherë është kthyer në një manifestim kundër kostos së lartë të jetesës por edhe reformave në arsim.

Përleshje masive shpërthyen në qendër të Parisit të shtunën, ndërkohë që policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

"Herën e fundit, ishim këtu për taksat", tha një 28-vjeçar për agjencinë e lajmeve AFP. "Kjo është një protest kundër institucioneve, ne duam demokraci më të drejtpërdrejtë," tha ai, duke shtuar se njerëzit duhej të ngriheshin për të drejtat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë