Arsim

Studentët e mjekësisë protestojnë të lidhur me pranga, u bashkohen edhe ata të farmacisë dhe infermierisë

Nga Gazeta Si- Të lidhur me pranga, studentët e fakultetit të Mjekësisë kanë vijuar me javën e tretë të bojkotit ku ditën e sotme protestuan duke marshuar nga Godina e kuqe në Universitetin e Mjekësisë deri tek Ministria e Arsimit.

Këtë herë, protestës së studentëve të Mjekësisë u janë bashkuar edhe studentë të departamenteve të tjera si studentë të Farmacisë, Infermierisë dhe Histori-Filologjisë, pavarësisht se, sipas tyre, u është thënë nga Universiteti që të mos marrin pjesë.

“Përfaqësues të Universitetit na kanë kërkuar që sot të jemi të gjithë në auditore duke zhvilluar leksione dhe të mos bëhemi pjesë e protestës por kjo është një protestë që na përket të gjithëve pasi vitin tjetër mund të ketë një ligj të njëjtë edhe për ne studentët e Farmacisë”, tregoi për Gazetasi.al një nga studentët e pranishëm në protestë.

Gjatë protestës, studentët e mjekësisë thanë se ditën e premte do të dorëzojnë padinë në Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi vetëm në pritje të avokatit që të dorëzojë padinë. Të premten do dorëzohet dhe më pas çështja do shkojë në Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që ne do të vazhdojmë me protesta derisa të tërhiqet ligji që na detyron të paguajmë një tarifë aq të lartë”, thotë Dea Guri, studente e mjekësisë së përgjithshme dhe një nga organizatoret e protestave, e cila shton se tashmë janë lodhur me protesta paqësore në pritje të një përgjigje që nuk po vjen.

“Jemi lodhur duke pritur për një përgjigje por do të vazhdojmë me protesta, çdo herë e më me shumë studentë. Këtë herë na janë bashkuar studentët e farmacisë dhe Infermierisë por do të ketë edhe më shumë në protestat e tjera”, tha Guri.

Studentët kërkojnë me ngulm një takim me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe në rast se nuk marrin një përgjigje deri ditën e sotme, thonë se do të kërkojnë dorëheqjen e saj.

Studentët e filologjikut 'mbyllin' protestën

Krahas studentëve të mjekësisë, prej dy ditësh po protestojnë edhe studentët e filologjikut, të cilët shprehen se Qeveria ka ndryshuar ‘rregullat’ për degët prioritare.

“Kur filluam vitin akademik, na u tha se të gjithë ne do të marrim bursën prej 40 mijë lekë, pa qenë nevoja për të mbajtur mesataren. Por, ditën e hënë, studentët janë njoftuar se për të vazhduar që të marrin bursën edhe në vitet në vijim, duhet të ruajnë mesataren prej 9.5, përndryshe nuk përfitojnë bursë.

Artan Spahiu, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë shpjegon se ruajtja e mesatares ka qenë një keqkuptim nga ana e Fakultetit dhe se ruajtja e mesatares nuk është një kriter për të mbajtur bursën.

“Mesatarja 9.5 ishte një keqkuptim nga ana e Fakultetit. Për studentët që kanë zgjedhur një degë prioritare si Gjuhë-Letërsia, Gjeografia dhe Historia, nuk ka kriter mesatareje as në vitin e parë të regjistrimit e as në vazhdimësi gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimit”, thotë Spahiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë