Bota

Stoltenberg: Ukraina nuk ka qenë kurrë kaq afër NATO-s. Zelenski: Jemi gati pas luftës

Gazeta Si - Ukraina do të anëtarësohet në NATO kur të përmbushen kushtet dhe kur vendet anëtare të pranojnë t’i dërgojnë ftesë për anëtarësim.

Vendimi u bë publik nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili megjithatë garantoi mbështetje të plotë të aleancës për Ukrainën në përmbushjen e të gjitha kushteve për anëtarësimin, që sipas tij do t’i nënshtrohet një procesi të përshpejtuar që ai e përshkroi si  “nga 2 hapa me 1 hap”.

“I dashur Volodimir, është një nder që ju kam këtu në samitin e NATO-s: kur Putin pushtoi Ukrainën, ai nënvlerësoi guximin e popullit ukrainas dhe vendosmërinë e udhëheqjes ukrainase, por edhe unitetin e NATO-s. Samiti i Vilniusit shënon fillimin e një marrëdhënieje të re me Ukrainën. Ukraina është afër NATO-s si kurrë më parë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.

Megjithatë, Ukraina nuk është shumë e kënaqur me këtë vendim të aleancës. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, para nisjes së ditës së dytë të samitit të Vilniusit ku edhe ai është i pranishëm, e konsideroi si të paprecedente dhe absurde, që vendit të tij nuk i janë dhënë detaje lidhur me kushtet që duhet të përmbushë dhe afatet e anëtarësimit.

Por pas takimit me shefin e NATO-s, Zelenski e zbuti qëndrimin e tij. “Nga bisedimet e sotme, kuptoj se kushtet e nevojshme për hyrjen në NATO do të arrihen kur të ketë paqe në Ukrainë. Ne e kuptojmë se disa kanë frikë të flasin për anëtarësimin tani, sepse askush nuk dëshiron një luftë botërore dhe kjo është e kuptueshme. Por ne duhet të kemi sinjale”, shtoi Zelenski.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë