Ne rrjet

Stoltenberg: Hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO e pakthyeshme

Pas vizitës në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku zhvilloi një mbledhje me kryeministrin e vendit fqinj, Zoran Zaev dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Stoltenberg e quajti këtë vizitë si një ngjarje historike dhe theksoi se Maqedonia  e Veriut është gati të bëhet pjesë e NATO-s. Shefi i Aleancës Veri-Atlantike njoftoi se Shkupi do të bëhet zyrtarisht anëtari i 30-të i aleancës këtë muaj.

“Këtë muaj ministrja e Mbrojtjes Sheqerinska do të vijë në Bruksel në mbledhjen e ministrave të mbrojtjes së Aleancës Veri-Atlantike si pjesë integruese e NATO-s dhe kur të gjithë vendet e Aleancës të kenë nënshkruar Protokollin e anëtarësimit për në NATO, Maqedonia e Veriut  do të bëhet vendi i 30- të i NATO-s. Anëtarësimi do të jetë një garanci për vendin dhe prosperitetin e vendit. Ne diskutuam sot integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, sigurinë dhe inteligjencën e vendit. Do të vazhdojmë të ndihmojmë edhe më tutje. NATO dhe Maqedonia e Veriut prej sot do të punojnë së bashku duke filluar nga angazhimi në misionin në Afganistan dhe në Kosovë”, deklaroi Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha ndër të tjera tha se të gjithë po shohin edhe benefitet që po gëzon Maqedonia e Veriut si anëtare e ardhshme e aleancës, si rritja e investimeve me të paktën tri herë dhe sigurinë dhe prosperitetin e vendit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se sa të sigurta janë vendet e Ballkanit që nuk bëjnë pjesë në NATO, si për shembull Kosova, Stoltenberg tha se NATO-ja është prezent në Kosovë nëpërmjet misionit të KFOR-it dhe se NATO-ja është aty për të dhënë garanci, paqe dhe mbrojtje për të gjitha komunitetet në Kosovë, po ashtu edhe të serbëve atje.

Por, ai theksoi se Kosova ka nevojë më shumë për një zgjidhje politike mes saj dhe Serbisë dhe një mbështetje për dialog.

“Kosova dhe Serbia duhet të marrin si shembull Marrëveshjen historike të Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por jo për të harruar të shkuarën por për të shkuar përpara ashtu siç po shkon Maqedonia e Veriut dhe Greqia- theksoi Stoltenberg.

Në një intervistë të dhënë para vizitës në Shkup, Stoltenberg tha se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut dërgon sinjal të qartë: Aleanca është e gatshme t’i dëshirojë mirëseardhje vendit në familjen euroatlantike.

Megjithatë, Stotelberg foli edhe mbi mundësitë që disa vende të mos e ratifikojnë protokollin, edhe pse anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të kontribuojë në sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të mbarë rajonit euroatlantik.

“Në shkurt kemi nënshkruar protokollin e anëtarësimit. Ky ka qenë moment historik për vendin tuaj dhe Aleancën. Tani Maqedonia e Veriut ka vend në tavolinën e NATO-s. Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov na është bashkëngjitur në prill në përvjetorin e Aleancës, ndërsa më vonë në qershor ministrja Shekerinska do të marrë pjesë në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel”, deklaroi ai. “Anëtarësimi në NATO do të sjellë siguri më të madhe dhe prosperitet për të gjithë njerëzit në Maqedoninë e Veriut. Vota juaj vlen sa ajo e aleatëve tjerë në marrjen e vendimeve për sigurinë dhe prosperitetin e vendeve tona. Anëtarësimi juaj në NATO do të kontribuojë në sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe në mbarë rajonit euroatlantik”, shtoi Stoltenberg.

Duke folur për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë: “NATO mbështet normalizimin e procesit mes Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut. Kjo është mënyra e vetme që të arrihet zgjidhje afatgjate politike për rajonin dhe është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Nuk mund të ketë perspektivë të vërtetë për të ardhme më të mirë të Ballkanit pa respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të bashkësive. Për NATO-n është prioritet stabiliteti dhe paqja në Kosovë. Mandati i Kombeve të Bashkuara për misionin tonë paqësor, KFOR-in, mbetet i pandryshuar. Do të vazhdojmë të sigurojmë mjedis të sigurt në Kosovë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë