Bota

Stjuardesa shtypi një buton gabimisht, avioni humbi lartësinë dhe shkaktoi 50 të plagosur

Gazeta Si - "Një stjuardesë shtypi gabimisht një buton". Këto, sipas gazetës “Wall Street Journal”, janë rezultatet e para të hetimit për incidentin e avionit që shkaktoi 50 të lënduar në fluturimin e “Latam Airlines” nga Sydney në Auckland më 11 mars.

Për shkak të turbulencës së ajrit, të shkaktuar nga një humbje e papritur e lartësisë, linja ajrore e Amerikës së Jugut fillimisht kishte folur për një "problem teknik" (në versionin e parë instrumentet kishin pushuar së punuari për disa sekonda), si shkaktar kryesor i tronditjes në bordin e avionit. Por e vërteta duket se është ndryshe dhe butoni i shtypur gabimisht nuk do të kishte qenë i vetëm.

Praktikisht, shtypja aksidentale e çelësit në pjesën e pasme të sediljes së njërit prej dy pilotëve nga stjuardesa, e ka shtyrë trupin kundër sistemit të kontrollit, duke dhënë kështu komandën për zbritje.

Sipas “Wall Street Journal”, Boeing po rekomandon që linjat ajrore, si një "masë paraprake", të inspektojnë çelësat në sediljet e motorizuara të pilotëve në “787 Dreamliners” (javët e fundit janë 375 në shërbim në mbarë botën), ndërsa një raport i publikuar deklaroi se një lëvizje aksidentale e sediljes së kabinës, për shkak të një gabimi të stjuardesës, ka të ngjarë të shkaktojë humbjen e papritur të lartësisë në fluturimin “LA800” të 11 marsit për në Zelandën e Re.

Prodhuesi i avionit dha gjithashtu udhëzime për të çaktivizuar motorët që lëvizin sediljet. Administrata Federale e Aviacionit Amerikan thotë se po mbledh një panel ekspertësh për të verifikuar komunikimin e Boeing-ut.

Sipas ekspertëve, megjithatë, dyshimet mbeten për këtë shtypje të pavullnetshme të butonit të sediljes me motor të pilotit, i cili në çdo rast duhet të ketë një mbrojtje që e pengon këtë.

Prandaj hipotezohen skenarë shumë më të këqij: si p.sh. që stjuardesa ishte ulur aty ku nuk duhej ose që ata duan të fajësojnë një stjuardesë për gabimin e njërit prej kapitenëve.

"Aeroplani u ul në Aeroportin e Auckland siç ishte planifikuar. Disa pasagjerë dhe ekuipazhi i kabinës u përfshinë si rezultat i aksidentit. Ata morën ndihmë të menjëhershme dhe u vlerësuan ose u trajtuan nga stafi mjekësor i aeroportit sipas nevojës", - tha një zëdhënës i linjës ajrore kiliane për gazetën “Herald” menjëherë pas ngjarjes.

Për të njëjtën gazetë lokale, një pasagjere tha se ndjeu një "rrëzim të vogël të shpejtë" gjatë fazës së zbritjes, ndërsa pasagjerët ishin pa rripa sigurimi dhe stjuardesat po shërbenin ushqime dhe pije përgjatë korridorit.

Për këtë arsye, disa pasagjerë janë përplasur pas tavanit të kabinës dhe në korridor. Pas uljes në Auckland, 50 persona u trajtuan në vend dhe 13 prej tyre u transportuan më pas në spital.

Mësohet se njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë. Pas uljes në Auckland, “Boeing 787-9 Dremliner” duhej të vazhdonte udhëtimin e tij për në Santiago de Kili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë