Ne rrjet

Stema e re e Maqedonisë së Veriut, edhe në shqip

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka prezantuar zyrtarisht stemën e re, e cila për herë të parë është e shkruar edhe në gjuhën shqipe.

Emri i ri ka hyrë në fuqi me publikimin e ndryshimeve kushtetuese në Gazetën Zyrtare, pak pasi Greqia ka njoftuar Shkupin zyrtar me vendimin e Parlamentit grek për miratimin e protokollit për anëtarësimin e fqinjit verior në NATO. Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se të mërkurën në vendkalimin kufitar me Greqinë do të vendoset tabela e parë me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, Kryeministri Zoran Zaev kërkoi nga të gjitha institucionet që të ndryshojnë mbishkrimet. Po ashtu edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur punën për ndërrimin e dokumenteve të udhëtimit dhe targat e makinave.
Sipas qeverisë, nga fillimi i vitit 2020, do të hidhen në qarkullim edhe kartëmonedhat e para me emrin e ri. Procesi i zëvendësimit të tyre do të zgjasë deri në pesë vjet, ashtu si ai i dokumenteve personale të qytetarëve.

Marrëveshja e emrit ka ardhur edhe me ndryshime të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë se Veriut, pasi në përputhje me Ligjin për gjuhët, përveç stemës, të gjitha mbishkrimet qeveritare dhe materialet e tjera do të duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Emrat e institucioneve shtetërore do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën angleze. Emrat do të kenë madhësi dhe font të njëjtë, por emri në gjuhën maqedonas do të shkruhet i pari.

Po ashtu sipas ligjit, uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe të mjekëve në Shkup dhe në komunat ku ka shqiptarë do të jenë të shkruara edhe në gjuhën shqipe.

“Procedurat gjyqësore dhe administrative, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve dhe ato hetimore, procedurat penale si dhe procedurat tjera të prokurorive publike dhe gjitha organeve tjera shtetërore do të komunikohen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në Nenin 9 të këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë