Stan Dragoti, regjisori i njohur i Hollivudit me origjinë shqiptare është ndarë në moshën 85 –vjeçare. Ai u nda nga jeta të premten e 13 korrikut, në Los Anxhelos, ka bërë me dije bashkëshortja Yolanda, ndërsa kishte luftuar me probleme shëndetësore, qysh prej operacionit në zemër katër vite më parë.
I biri i një emigranti shqiptar, Stani lindi në Manhatan, më 4 tetor të vitit 1932. Fillimisht punoi si piktor e më pas në agjenci pioniere reklamash si Young & Rubicam dhe apo Wells Rich Greene më 1966. Më pas do të bashkëpunonte me legjendën e ardhshme të reklamave Charlie Moss, që i çoi të shkruanin bashkë skenarin e filmit debutues të Dragotit, “Dirty Little Billy” më 1972-shin- një film Western rreth viteve të hershme të të jashtëligjshmit Billy the Kid, interpretuar nga Michael J. Pollard.
Pesë vjet më vonë, Moss e rekrutoi Dragotit në fushatën “I Love New York”, me qëllim për të fuqizuar turizmin në shtetin e Nju Jorkut. Suksesi i tij i parë si regjisor erdhi më 1979 –ën, me komedinë romantike “Love at First Bite” , ku George Hamilton interpretonte Drakulën, i cili shpërngulet në qytetin e Nju Jorkut. Ishte një sukses i madh, duke arkëtuar 43 milion dollarë, ndërsa buxheti i filmit kishte qenë vetëm 3 milion dollarë.
Një tjetër nga sukseset e Dragotit ishte edhe “The Man With One Red Shoe (1985) – (Njeriu me një këpucë të kuqe(, ku interpreton aktori i njohur Tom Hank.
Të tjerë filma që mbajnë firmën regjisoriale të Dragotit janë She's Out of Control (1989), me Tony Danza dhe Catherine Hicks apo Necessary Roughness (1991), ku luan Scott Bakula.
Bashkëshortja e tij e dytë e Dragotit ishte supermodelja Cheryl Tiegs, me të cilën u martua më 1970-ën. Gjatë rrugës drejt Festivalit të Filmit në Kanë, në vitin 1979, Dragoti u kap me 21 gram kokainë nga autoritetet në aeroportin e Frankfurtit, në Gjermani. Ai kaloi tetë javë në burg, përpara se gjyqtari ta lironte dhe ta pezullonte dënimin e tij prej 21 muajsh.
Dragoti do të shprehej se drejt drogës e kishte çuar mbingarkesa në punë dhe marrëdhënia jashtëmartesore që Tiegs, e shoqja, kishte me fotografin Peter Beard. “Mendoj se mund të thoni se nuk isha mjaft i fortë ta duroja dhimbjen”, ka thënë rreth kësaj në një artikull për revistën “People” në vitin 1979, ai. Pas kësaj Tiegs dhe Dragoti u divorcuan. Ajo u martua më pas me Beard , për t’u divorcuar më vonë. Dragoti dhe Yolanda u martuan katër vite pas divorcit të tij nga Tiegs dhe kanë qenë bashkë për 30 vjet. Dragoti nuk ka fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.