Ne rrjet

Stadiumi me hotele e restorante “ngulfat” dijen dhe artin

Nga Afrim Krasniqi* - Shqipëria po bëhet me stadium të ri. Stadiumi ka edhe fushë, edhe pistë, edhe zyra, edhe restorant, edhe hotel, edhe parking, edhe impante argetimi, dhe shumë shërbime të tjera që nuk mund të mos kenë lidhje me futbollin.

Megjithatë kjo foto ka një simbolikë tjeter. Shikoni këto dy rrathë të vegjël, - njëri është Rektorati i Universitetit të Tiranës, universiteti më i madh në vend dhe tjetri është rektorati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, qendra e vetme e studimeve që lidhen me arkeologjinë, historinë, letërsinë, etnografinë, etj, në Shqipëri. Aty ndodhet një prej muzeve më të mirë në vend, Muzeu Arkeologjik i krijuar më 1948. Dy godinat e dijes duken një pikë ujë në kompleksin e madh sportiv, - një tregues domethënës sesa të rëndësishme dhe sa prioritare janë shkenca dhe dija në Shqipëri! Madje dy godinave gjithnjë e më shumë u merret hapësirë e territor, sa nga qeveria, aq edhe nga bashkia.

Mesazhi është i trishtë: për dijen e shkencën nuk ka as para dhe as investime, ama për çështje hotelesh, lokalesh, luksi, argëtimi, sidomos PPP, ka pasur e ka çek të bardhë! Të gjithë shtetarët vijnë rregullisht të shoqeruar nga donatorët e tyre elektorale tek stadiumi-hotel-restorant, por asnjë prej tyre, nuk ka kohë për vizitë 10 metra pertej, aty ku me të mira e probleme ndodhet Tirana e librit dhe e mendjes.

Dhe për memorie në vendin pa memorie, - më 2010 me ceremoni pompoze midis dy godinave të shkencës, ku ndodhej hapësira e ish kollonave, u përurua nisja e punës për ndërtimin e Muzeut Memorial mbi Nënë Terezën! Nuk u bë kurrë, si shumë gjëra të tjera që premtohen pa menduar dhe që nuk bëjnë pjesë në planet e oligarkëve të politikës dhe ekonomisë!

*Shënim: Marrë nga profili në Facebook i Afrim Krasniqit. Titulli është i Redaksisë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë