Futboll

Stadiumi legjendar Asteka në prag të shkatërrimit total

Është një nga stadiumet më mitik në botë, ku kanë luajtur Pele dhe Maradona. Impianti Asteka në Meksikë nuk është në ditët e tij më të lavdishme. Vendi ku është luajtur, aq që është quajtur si finalja e shekullit, (Itali 4 - 3 Gjermani Perëndimore), është në gjendjen e tij më të keqe në histori. Raporti vjen nga mediat vendase, të cilat spunton e kanë marrë nga anulimi i një ndeshje të futbollit amerikan mes Los Angeles Rams dhe Kansas City Chief. Ndeshja nuk u luajt në këtë stadium për shkak të kushteve të mjerueshme të tij, shkruhet në raportet e medieve meksikane.

Në Asteka do të luhen ndeshje të kampionatit botëror 2026, që do organizohet nga SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika. Por gjendja aktuale e këtij stadiumi nuk është e pranueshme as edhe për një ndeshje të kampionatit vendas.

Së pari fusha e Asteka është jashtë çdo parametri ku mund të luhet futboll në nivele mesatare. Ajo është e dëmtuar dhe në disa pjesë është vetëm e zezë dhe bari është zhdukur totalisht. Por edhe ambientet e brendshme të këtij stadiumi janë në gjendje të rrënuar dhe të papranueshme për emrin e madh që mban ky stadium. Sipas atyre që shkruajnë mediet e huaja një pjesë të madhe të fajit për këtë rrënim të stadiumit Asteka është edhe i koncerteve të shumta që aty janë mbajtur.

Asteka është nga të parët stadiume në botë që ka pritur një finale botërori e cila është ndjekur nga më shumë se 100 mijë spektatorë. Gjatë dy rikonstruksioneve që i janë bërë këtij impianti kapaciteti i tij është ulur në 85 mijë spektatorë. Besohet se në rikonstruksionin që do të fillojë vitin e ardhshëm për ta bërë gati për kampionatin botëror të vitit 2026, kapaciteti i Asteka do ulet në 80 mijë vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë