Menaxhim

Stacione karikimi për makinat elektrike në pikat kufitare dhe zonat turistike

makina elektrike

Nga Gazeta ‘SI’ - Agjencia e Eficiencës së Energjisë ka hapur një tender për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në Shqipëri.

Sipas detajeve të tenderit, stacionet synohen të vendosen në pikat kufitare dhe zonat turistike të vendit, Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë.

Vendosja e stacioneve të karikimit për makinat elektrike pritet të fillojë nga zonat turistike dhe pikat kufitare në vend.

Projekti llogaritet të kushtojë rreth 83 mln lek dhe mbyllet më 20 qershor. Ai do të zhvillohet në dy faza; studimi dhe punimi.

Në fazën e parë, operatori ekonomik do të realizojë auditimin energjetik për të gjithë karikuesit për çdo qytet apo pikë doganore nga auditues energjetik të certifikuar nga AEE për instalime industriale.

Ky auditim do të përcaktojë reduktimet që vijnë nga zëvendësimi i karburanteve fosile, fizibilitetin e kursimit të energjisë elektrike krahasuar me lëndët djegëse si dhe uljen e ndotjes që vjen nga përdorimi i karburanteve.

Në fazën e dytë, nis puna për vendosjen dhe funksionimin e stacioneve.

Projekti vjen fiks një vit pasi ministrja e Energjisë dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se pika karikimi për mjetet elektrike janë planifikuar në 200 km e para të ccdo autostrade në vend, referuar projektit për elektrifikimi dhe monitorimin e transportit.

Mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambientit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin.

Deri në fund të vitit 2022, në Shqipëri qarkullonin rreth 3 mijë makina elektrike dhe rritja e tyre nuk po ndodh aq shpejt sa pritej. Vetë Balluku, një vit më parë kërkonte “braktisjen” e makinave me karburant dhe blerjen e automjeteve "green" nga ana e qytetarëve, si një zgjidhje më eficiente për kostot dhe natyrën.

Në kryeqytet ndodhen 6 pika karikimi për makinat elektrike. Posta Shqiptare posedon 12 mjete ekologjike, 6 nga të cilat janë totalisht elektrike. Ekzistojnë 15 kompani taksish, me mjete hibride dhe elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë