Futboll

Spektakël në derbi, Partizani “skuq” Tiranën e merr kreun

Fatjon Rupi – Derbi ka folur sërish për Partizanin. Të kuqtë kanë fituar 0-1 dhe kanë marrë kryesimin e Superiores, me 13 pikë. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Esat Mala në minutën e 20-të, ndërsa Tirana “afrikane”, pavarësisht ndonjë shkëndije sporadike, nuk ka mundur të bëjë asgjë. Spektakël në shkallët e stadiumit nga të dyja tifozëritë dhe ndonjë problem i vogël, por pa shkaktuar rrëmujë.

Derbi në fakt kishte nisur disa orë para vërshëllimës së ndërkombëtarit Enea Jorgji, gjatë marshimit të dy tifozërive në rrugët e kryeqytetit drejt stadiumit “Selman Stërmasi”. Momente prekëse para startit të ndeshjes, kur skuadra e kuqe vendosi tufa me lule në vendin ku qëndronte zakonisht vogëlushi Leo Cara, tifozi special i Partizanit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Fitorja i është dedikuar pikërisht atij nga ekipi, presidenti i Partizanit Gaz Demi dhe autori i golit, Esat Mala. Për t’u vlerësuar gjesti i tifozëve të Tiranës, të cilët i kishin kushtuar një parullë të veçantë tifozit të Partizanit. Spektakël në tribuna nga grupimet “Fanatics” dhe “Guerrils”, me parulla ironike dhe mesazhe të koduara për kundërshtarin. Më pas fjalën e ka marrë fusha e blertë.

Pjesëtarët e Partizanit ngushëllojnë babanë e vogëlushit Leo para ndeshjes

Partizani është shfaqur menjëherë agresiv. Trajneri Gega i ka besuar ekipit që mundi Flamurtarin javën e fundit dhe të kuqtë kanë fituar metra në gjysmëfushën e Tiranës, që ka hasur vështirësi në organizimin e lojës. Ze Maria kishte lënë në stol Imamin dhe Oduamadin për Hoxhallarin e rikthyer dhe afrikanin Sentamu. Asani ka tentuar i pari me një goditje dënimi, ndërsa Hasani ka pasur rastin më të mirë për të shënuar, teksa ka gjuajtur jashtë me kokë, pas krosit të Dajës. Tirana është ndëshkuar në minutën e 20-të, kur Hoxhallari ka lejuar Asanin të krosojë saktë në zonë për Malën, i cili i ka marrë kohën Dokës dhe ka mposhtur Likën. Momente deliri në radhët e tifozërisë së kuqe, që më në fund duket se po sheh skuadrën e titullit.

Esat Mala, pasi ka shënuar golin e fitores ndaj Tiranës

Bardheblutë janë përpjekur të reagojnë, por pa qartësi taktike dhe me gabime të shumta në nisjen e aksioneve, kjo edhe falë presingut të madh të Partizanit. Të kuqtë janë treguar të kujdesshëm në mbrojtje dhe kanë tentuar me kundërsulm, duke i besuar shpejtësisë së Asanit. Me fillimin e pjesë së dytë, Tirana ka shtuar ritmin e lojës, por sërish ka qenë konfuze në mënyrën e kërkimit të golit. Nervozizmi ka bërë të vetën, madje Bllazhevski ka rrezikuar të kuqen në ndërhyrjen ndaj Telushit. Ndërrimet e trajnerit brazilian të bardhebluve, Ze Marias, i cili aktivizoi sulmuesit Ngo, Oduamadi dhe Greca, nuk kanë dhënë rezultat. Tirana nuk e goditi asnjëherë rrezikshëm portën e Hoxhës, kurse Partizani mund të kishte shënuar golin e dytë me Asanin, Hilën apo Hebajn. Minutat e fundit, duke përfshirë edhe ato shtesë, kanë qenë të ngarkuara emocionalisht, ku të kuqtë kanë luajtur me nervat e kundërshtarit.

Spektakli i tifozëve të Partizanit gjatë ndeshjes

Parullat ngacmuese të tifozërive kanë vazhduar të shpalosen deri në fund, por sigurisht që të lumtur kanë dalë nga ky derbi ata të Partizanit, si në shumë derbi të viteve të fundit. Partizani, falë kësaj fitoreje, ka marrë kreun, duke shkuar në 13 pikë dhe duke parakaluar Skënderbeun, që luan në Durrës ndeshjen e javës së 6-të. Gjithçka po shkon mirë për të kuqtë, ndryshe nga Tirana, që duket larg asaj që ishte trumpetuar para nisjes së sezonit. Numrat flasin qartë: 5 pikë në 6 ndeshje dhe trajneri Ze Maria rrezikon shumë të shkarkohet, por në këtë mes hyn edhe çështja ekonomike.

Trajneri brazilian pranoi pas ndeshjes se Tirana nuk luajti mirë dhe nuk meritonte të fitonte në derbi: “Partizani shënoi në rastin e vetëm dhe fitoi ndeshjen. Ne kishim një shans para golit të tyre, por nuk shënuam. Ky është futbolli. Pozicioni im është gjithmonë në diskutim. Nuk mendoj se është rezultati më i keq në histori, por të shohim çfarë do të ndodhë. Të jem i sinqertë, nuk luajtëm mirë dhe nuk e meritonim fitoren, por as humbjen. Kishim një problem me dëmtimin e Oduamadit. Sa herë humb një ndeshje, je në rrezik. Duhet ta analizojmë ndeshjen dhe të nxjerrim gabimet. Nuk mjafton një rast i krijuar. Më vjen keq për tifozët e Tiranës”.

Stafi i Partizanit feston fitoren në derbi

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, edhe pas kësaj fitoreje është treguar i vetpërmbajtur dhe nuk ka dashur të flasë për titull: “Ishte një fitore e bukur, sepse luanin dy klube legjendare. Në radhë të parë, doja t’i shprehja ngushëllime familjes së tifozit tonë të vogël. Ishim përgatitur për këtë ndeshje, edhe pse kishim probleme fizike me Telushin dhe Trashin. Janë rastet që vendosin, ndërsa ne u përpoqëm të mos e linim kundërshtarin të qarkullonte topin. Nuk marr përsipër të them jemi për titull, pasi ka shumë pretendentë. Jam i kënaqur që po rritemi. Edhe në teatër 3 ditë radhazi nuk mund të dalë e njëjta shfaqje. Duhet t’i studiojmë të gjithë ekipet dhe pretendimet janë, por nuk mund të them se jemi kampionë që tani. Partizani ka një grup të mirë. E kam pasur të vështirë me Asanin, i cili ka kualitet dhe i ka bërë mirë detyrat. Klubi ka bërë më të mirën. Telushin e kam pasur tek ekipi Shpresa dhe pata besim tek ai. Kampionati është i gjatë dhe deri tani jam i kënaqur. Na pret sfidë e vështirë me Teutën. Nuk më intereson Skënderbeu, sepse e kemi bërë ndeshjen me këtë ekip”, – tha trajneri Gega.

 

Më Shumë