Gazeta Si – Ish-kryeministri spanjoll, José Luis Rodríguez Zapatero është nën hetim, së bashku me të tjerë, për pastrimin e supozuar të 53 milionë eurove nga fondet publike që qeveria spanjolle kishte ndarë në vitin 2021 për të shpëtuar linjën ajrore “Plus Ultra”, e cila në atë kohë ishte në vështirësi.
Ai akuzohet për anëtarësim në një organizatë kriminale, abuzim me ndikimin dhe falsifikim dokumentesh; ai u thirr për t’u marrë në pyetje më 2 qershor.
Në kohën e ngjarjeve të supozuara, kryeministër ishte socialisti Pedro Sánchez (i papërfshirë në hetim), në detyrë që nga viti 2018 dhe ende në detyrë sot.
Zapatero kishte shërbyer gjithashtu si kryeministër socialist nga viti 2004 deri në vitin 2011. Gazeta “El País” raporton se hetimi u hap në vitin 2024, pasi qeveritë franceze dhe zvicerane kërkuan sqarime nga Spanja në lidhje me lëvizjet e dyshimta të parave në vendet e tyre.
Në qendër të hetimit është një firmë konsulence e quajtur “Análisis Relevante”, e themeluar në vitin 2020 nga biznesmeni nga Alicante, Julio Martínez Martínez, një mik i Zapateros.
Sipas hetuesve, vitet e fundit kjo firmë ka marrë qindra mijëra euro nga “Plus Ultra” dhe i ka dhënë Zapateros mbi 460,000 euro për shërbime konsulence të paspecifikuara.
Zyra e prokurorit, dyshon gjithashtu se Martínez kishte pasur marrëveshje të dyshimta me Venezuelën, në kohën e ish-presidentin autoritar, Nicolás Maduro: që në vitin 2021, autoritetet spanjolle u përpoqën të hetonin nëse një pjesë e financimit shtetëror të dhënë “Plus Ultra” u ishte dhënë bashkëpunëtorëve të Maduros, por hetimi u mbyll në vitin 2023.
Megjithatë, Martínez u arrestua më 11 dhjetor nga Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Fiskale e Policisë Kombëtare, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Análisis Relevante, Roberto Roselli.
Deri më tani, pak informacione të mëtejshme rreth çështjes ishin publikuar për shkak të sekretit të hetimit, i cili u hoq të martën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje