Futboll

Spanja përmbys Anglinë në Wembley

Luajnë Anglia dhe Spanja në Wembley, por ata që triumfojnë janë iberikët dhe për më tepër me përmbysje. Skuadra e Luis Enrique ka fituar 1-2 me Anglinë në ndeshjen e parë të Uefa Nations League. Ekipi spanjoll ka treguar forcë karakteri dhe në fund ia ka dalë që të marrë tre pikët e para këtë kompeticion të ri europian.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për vendasit e Southgate, që kaluan të parët në avantazh. Ishte dyshja e Manchester United, Luk Shaw dhe Marcus Rashford që shënuan për Anglinë, duke çuar në dëlir një Wembley të tejmbushur. U duk sikur ndeshja u fut në shinat e duhura për ishullorët, por nuk ishte kaq e thjeshtë, sidomos kur përballë në fushë është Spanja. Iberikët reagojnë menjëherë vetëm dy minuta më vonë. Është Saul që çon në rrjetë topin e pasuar në mënyrë mjeshtërore nga ana e Rodrgio.

Me barazimin e rezultatit, njëkohësisht Spanja merr në dorë edhe frenat e lojës. “La Roja” mbajnë topin si zakonisht dhe kërkojnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 32’, Saul i kthen “borxhin” Rodrigo-s, i cili shënon këtë herë golin e avantazhit.

Fraksioni dytë do të niste me të njëjtin ritëm që u mbyll pjesa e parë. Anglia kërkonte golin e barazimit, ndërsa Spanja nga ana tjetër administron lojën dhe është shumë e kujdesshme. Britanikët kanë disa raste të pastra për të shënuar, por Kane me shok nuk ia dalin që të konkretizojnë siç duhet. Deri në fund reparti i organizuar i mbrojtjes së Spanjës nuk lejon hapësira dhe e mban rezultatin të pa ndryshuar deri në fund. Me këtë fitore Spanja shkon në kuotën e tre pikëve dhe është e para në grupin 4 të Ligës A, ku përveç Anglisë bën pjesë edhe Kroacia.

Sakaq në ndeshjet e tjera të Uefa Nations League të luajtura mbrëmjen e së shtunës, Greqia ka mposhtur Estoninë në shtëpinë e këtyre të fundit me rezultatin minimal 1-0. Për grekët golin e vetëm e shënoi Fortounis në minutën e 14’ të ndeshjes, që mjaftoi për të marrë tre pikët. Ndërkohë edhe  modestët e Luksemburgut kanë marrë një fitore historike në ndeshjen e parë të Nations League, teksa kanë mposhtur 4-0 Moldavinë në grupin 2 të League D. Gjithashtu edhe Bosnje Hercegovina ka triumfuar në Irlandën e Veriut në shifrat 1-2, duke e nisur mbarë këtë kompeticion. Fitore kanë arritur edhe Finlanda me Hungarinë, 1-0 e Bjellorusia, që ka mundur 5-0 San Marino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë