Në Stadiumin Lillekula të Tallinit, në muajin gusht diskutimi i Superkupës së Europës do të jetë një melodi e dëgjuar shpesh vitet e fundit.
Finalja e trofeut që vë përballë fituesin e Ligës së Kampioneve dhe atë të Ligës së Europës do të jetë tërësisht spanjolle, ose më saktë, e gjitha madrilene.
Reali do të vihet përballë Atletikos, në rivalitetin e radhës për trofetë europianë dhe nuk është hera e parë që ndodh. Klubet spanjolle kanë dominuar në Europë vitet e fundit. Që prej vitit 2000 ato kanë ngritur plot 30 trofe kontinentalë.
Dominimi është bëra akoma më i ashpër në pesë vitet e fundit. Mes Ligës së Europës, Ligës së Kampionëve dhe Superkupës së Europës, janë 15 trofe në këtë 5-vjeçar dhe shifrat për skuadrat spanjolle janë tmerrësisht pozitive. 14 herë kanë arritur që të ngrenë këtë trofe dhe dominimin 100 për qind ua ka prishur vetëm Jose Mourinho me Manchester United, që fitoi një vit më parë Ligën e Europës.
Në Ligën e Kampionëve janë katër suksese të Realit të Madridi dhe një i Barcelonës, në Superkupë, Los Blancos kanë fituar tre herë dhe një herë skuadra katalanase. Në Ligën e Europës është një tripletë e Seviljes e deri tek suksesi i këtij viti i Atletikos, që mposhti në finale Marsejën. Në total bëhen 13 trofe dhe bashkë me Superkupën që diskutohet në gusht shkojnë në 14-të.
Rivaliteti i vetëm që kanë hasur skuadrat spanjolle mbërrin nga skuadrat angleze. Analistët e lidhin këtë me konkurrencën në kampionat. Dueli i përjetshëm Real-Barca ka rritur gjithë nivelin e La Ligas, ndërsa në Premier League ky nivel është rritur me “pahir” falë parave të shumta të shpenzuara në merkato.
Në kampionatet e tjera, Juve, Bajern dhe PSG nuk njohin rivalë në shtëpi. Kjo shoqërohet me kosto jo pak të vogla për këto klube në arenën europiane, që shpesh skena e madhe e futbollit europian i bën të duken si skuadra amatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.