Politike

SPAK, Metës: “Asnjë nga 16 emrat e qeverisë së re nuk është nën hetim”. Por gjysma e tyre janë paditur të paktën një herë

Prokuroria e Posaçme i ka kthyer përgjigje negative Presidentit Ilir Meta, duke e njoftuar atë se asnjëri prej listës me 16 emra të kabinetit të ri qeveritar nuk është i regjistruar si person nën hetim në regjistrin e njoftimeve të veprave penale të kësaj prokurorie.

Presidenca kërkoi përmes shkresave të dorëzuara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në SPAK, që të informohet nëse kanë “të dhëna, apo informacione mbi emrat e kandidatëve të propozuar për ministra lidhur me proceset hetimore, apo penale që janë nisur, apo mund të jenë në fazë vlerësimi për t’u iniciuar për secilin prej tyre”.

Regjistrimi në regjistrin e njoftimeve të veprave penale do të thotë se personi është i marrë zyrtarisht nën hetim nga prokuroria e posaçme. Nga lista e 16 ministrave asnjëri, sipas SPAK, nuk është në këtë regjistër.

Gjithsesi, padi të ngritura ndaj tyre janë të shumta, ku pjesa më e madhe është bërë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit nga ana e Partisë Demokratike me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së Kodit Zgjedhor.

Mes emrave të dorëzuar nga PD në këto padi, madje është edhe vetë Kryeministri Edi Rama, ndërsa nga 16 ministrat e propozuar për në kabinet, të paktën shtatë prej tyre janë paditur të paktën një herë në SPAK.

Partia Demokratike ka paditur në SPAK kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

PD paditi Edi Ramën gjatë fushatës elektorale me akuzën se ka kërcënuar të punësuarit në arsim e shëndetësi përmes dy nismave të qeverisë, “Mësues për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë’”. PD shprehet se Rama gjatë një bisede me Milva Ikonomin Rama tha se e mbrojnë vendin e punës vetëm duke votuar PS. PD akuzoi Ramën për këto katër vepra penale: Shpërdorimi i detyrës, Korrupsion aktiv në zgjedhje, Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.

Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj është paditur nga Partia Demokratike Partia Demokratike për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tendera publike” si dhe “Krijimin e grupit të strukturuar kriminal”, gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Financave. PD akuzon se Ahmetaj është i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, që sipas opozitës, është një aferë e pastër korruptive.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku është paditur nga opozita për 6 vepra penale që lidhen me koncesionin prej 30 milionë eurosh të Kalatës së Portit të Durrësit. Sipas PD, koncesioni iu dha për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsa fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tënderin. Në padinë e PD, të dorëzuar në SPAK përfshihen edhe drejtori i Portit të Durrësit, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe kompania koncesionare, “Hili Company Limited”.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka është paditur gjithashtu për shpërdorim detyre nga ana e Partisë Demokratike gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas PD, Xhaçka dhe autoritetet ushtarake kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.

Ogerta Manastirliu është paditur nga Partia Demokratike gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore për përdorim të legalizimeve të shtëpive në këmbim të votave dhe asfalt elektoral. Po në këtë padi të PD është përfshirë edhe Ulsi Manja, i propozuar për postin e ministrit të Drejtësisë në kabinetin “Rama 3”.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është paditur në SPAK nga Aleanca për Teatrin për ushtrimin e dhunës, ndaj një aktivisti të kësaj aleance brenda komisariateve të policisë. Padi u ngrit nga pedagogu Donald Martini, i cili pretendon se është dhunuar brenda komisariatit pak ditë pas vrasjes nga një efektiv policie të 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është paditur në SPAK nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë fushatës zgjedhore me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike, ose zgjedhore”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është paditur nga Aleanca përë Mbrojtjen e Teatrit me akuzën se ka “konsumuar elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe refuzim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë