Politike

SPAK heton Metën, i kërkon KQZ-së formularin e dekriminalizimit të ish-Presidentit

Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon një kopje të formularit të dekriminalizimit që Ilir Meta ka dorëzuar në këtë institucion para se të zgjidhej President.

Shkresa që mban firmën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja thotë se kërkesa lidhe me hetimet që SPAK po kryen mbi një padi të dorëzuar në SPAK për Ilir Metën gjatë këtij viti.

Procedimi penal mban numrin 122, viti 2022, që lidhet me padinë e dorëzuar nga ish-deputeti Halit Valteri për korrupsion dhe mosdeklarim të ardhura e financime të paligjshme për LSI-nsë.

Halit Valteri, ish-deputeti që në Kuvend hyri nga listat e Partisë Demokratike pas djegies së mandateve në 2019-n dhe në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar kandidoi nën siglën e Partisë Socialiste, por pa mundur që të hyjë sërish në parlament e depozitoi në qershor në SPAK kallëzimin penal.

Bashkë me Metën, Valteri ka kallëzuar edhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-deputetin Vangjel Tavo dhe shtetasin greko-amerikan, Iraklis Fidetzis, si administrator i një kompanie guackë.

“Me anë të këtij kallëzimi kërkojmë fillimin e procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj shtetasve të për kryerjen e veprave penale të korrupsionit, fshehje të të ardhura, deklarim i rremë dhe pastrim parash. E depozitoj këtë kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale respektive, pasi jam vënë në dijeni dhe kam të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme se nga ana e tyre janë konsumuar veprat penale të cituara më sipër”, deklaron Valteri.

Kallëzimi lidhet me dyshimet se në 2017-n, LSI ka paguar përmes një kompanie guackë të quajtur “Dorelita Limited” mbi 600 mijë dollarë për lobim në SHBA.

“Duke marrë shkas nga shumë denoncime të ndryshme të bëra publike, ndër to në vitin 2018 nga gazeta prestigjioze ‘Mother Jones’ dhe së fundmi nga gazeta e mirënjohur austriake ‘Kronen Zeitung’ është konstatuar se LSI shpeshherë ka lobuar për kauza të rreme vetëm për faktin që me anë të parave të financuara të dizinformojë zgjedhësit shqiptarë duke i bërë të mendojnë se kanë përkrahjen e Qeverisë Amerikane”, thotë ish-deputeti.

Duke administruar kontratat e lobimit në favor të LSI, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, Valteri thotë se këto shpenzime nuk janë deklaruar as në bilancet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për vitin 2017 dhe as në Deklarimin Vjetor Periodik të Metës e Kryemadhit për vitin 2017.

“Referuar këtyre rrethanave, krijohet dyshimi i arsyeshëm se politikanë të përfolur shpeshherë për afera korruptive siç është rasti i Ilir Metës me çështjen CEZ- DIA apo edhe në çështjen e shumë përfolur të video-regjistrimit Dritan Prifti etj, kanë përdorur para të përfituara nga aferat korruptive duke i pastruar dhe futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime dezinformimi për votuesit shqiptarë”, shkruan ai.

Ish-deputeti e mbyll reagimin duke thënë se vendosi që ta bëjë publik kallëzimin, “në mënyrë që çdo e keqe që mund t’i vendosë në rrezik jetën e tij, apo të njerëzve të tij vjen prej Ilir Metës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë