Politike

‘Kontrata lobimi deri në 1.2  mln $’, Valteri çon prova të reja në SPAK kundër Ilir Metës

Gazeta Si - Ish-deputeti Halit Valteri u paraqit sërish këtë të premte në SPAK, siç tha ai për të dorëzuar prova të reja për kontratat e lobimit në SHBA të firmosura nga Ilir Meta.

Sipas Valterit, totali i vlerës së kontratave të firmosura nga Metaj shkon deri në 1.2 milionë dollarë për kompaninë "Dutko".

"Kemi bërë dy kallëzime penale për grupin e koorporatës "Lëvizja Socialiste për Integrim", ish-presidentit e Republikës dhe partinë e tij familjare. Sot kemi ardhur të paraqesim në SPAK përsëri prova të reja ku ka kontrata të firmosura vetë Ilir Meta me kompaninë lobuese "Dutko", ku e çon totalin e të gjithë pagesave të lobimit në 1.2 mln dollarë të paguara nga taksat e shqiptarëve për të bërë pagesa lobimi në SHBA", tha ai.

Valteri shtoi se janë prova të paraqitura edhe më parë së bashku me sqarimet e bëra në dosje.

Ai i bëri thirrje SPAk se nuk ka çfarë të presë më: “Të bëjë atë që presin të gjithë shqiptarët, arrestimin e Ilir Metës. Nuk jam i autorizuar të them se ku ka arritur puna e SPAK, por di që ka ecur para. Meta është nën hetim dhe së shpejti me provat e grumbulluara, shqiptarët do të kenë një ish president e ish kryeministër të arrestuar”, tha Valteri.

Valteri, ish-deputeti që në Kuvend hyri nga listat e Partisë Demokratike pas djegies së mandateve në 2019-n dhe në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar kandidoi nën siglën e Partisë Socialiste, por pa mundur që të fitojë një tjetër mandat, depozitoi në qershor në SPAK kallëzimin penal.

Bashkë me Metën, Valteri ka kallëzuar edhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-deputetin Vangjel Tavo dhe shtetasin greko-amerikan, Iraklis Fidetzis, si administrator i një kompanie guackë.

Në 24 gusht të këtij viti, SPAK iu drejtua me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon një kopje të formularit të dekriminalizimit që Ilir Metaj ka dorëzuar në këtë institucion para se të zgjidhej President.

Prokuroria e Posaçme ka regjisutrar 4 kallëzimet e bëra ndaj ish-presidentit dhe familjes së tij. Në dokumentet e dorezuara në prokurori, kërkohet që Meta dhe Kryemadhi të hetohen për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.

Meta po hetohet për veprën penale të "korrupsionit pasiv" sipas nenit 259 të Kodit Penal dhe veprën e "falsifikimit të formularëve" sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Sipas burimeve nga SPAK, objekt i hetimeve janë pasqyrat e burimeve financiare të depozituara në KQZ nga LSI, për lobim e shpenzime elektorale në SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë