Lajme

SPAK dërgon në gjyq grupin e 'Avdylajve'

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi mbylli hetimet dërgoi më 17 janar në Gjykatë dosjen 339 për trafikun e drogës.

SPAK thotë se ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal të grupit të Avdylajve.

Mes të pandehurve në këtë dosje penale që flet për trafikimin e gati 200 kg lëndë narkotike heroinë dhe një sasie të konsiderueshme hashashi, është dhe vëllai i ish-deputetit të PS në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka, Gjevi Ndoka.

Bëhet fjalë për të pandehurit Astrit Balliu (alis Avdyli,Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka, Esat Mehmeti, Petrit Sulejmani, Saimir Sulejmani, Hajri Seferi, Orges Jahelezi, Shkëlqim Avdyli, Denis Llaftiu, Saimir Gjepali, Mario (alias Edinjo) Zeqiri, Elton Shehaj, Fatos Llaftiu, Ardit Gjyriqi, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Iskënder Sale(alias Mehmet Gjini), Xhemal Shala, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj, Vehbi Berushi, Mustaf Shuti, Anila Shuti.

Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.

Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë ngritur akuza dhe dërguar për gjykim, edhe 38 të pandehur të tjerë, për të cilët vazhdon gjykimi.

Deri tani në kuadër të këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim gjithsej 63 të pandehur.

Ndërkohë, janë sekuestruar deri tani me qëllim konfiskimin, pasuri të paluajtshme (truall në bregdet) me sipërfaqe 300.000 (treqind mijë) m2, e cila ka qenë pronë shtetërore e përfituar në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e grupit kriminal. 

Gjithashtu janë sekuestruar hotele, apartamente, automjete, me një vlerë prej rreth 5.000.000 (pesë milionë) euro.

Prokuroria thotë se hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë