Politike

Sot raporti, Meta çon në Venecia këshilltarët. I kujton Ramës dosjet dhe historinë e Qazim Mulletit

Komisioni i Venecias pritet të publikojë sot qëndrimin zyrtar për kërkesën zyrtare të paraqitur nga Parlamenti shqiptare, nëse presidenti Ilir Meta shkeli ose jo Kushtetutën me dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Mësohet se presidenti Meta ka ndërruar mendje dhe ka vendosur që të dërgojë atje këshilltarët e tij në mbledhjen e komisonit të Venecias.

Mësohet se do të jenë 3 këshilltarët e tij, Bledar Dervishaj, Arben Cici dhe Ilda Zhulali. Ndërsa nga mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të mazhorancës, ku Taulanta Balla do të jetë i pranishëm në këtë sesion të Venecias. Më herët presidenti Ilir Meta kishte përmes një letre i kërkoi presidentit të Komisionit të Venecias Giani Buquiçhio të reflektojnë mbi projekt-opinionin, pasi nuk ishte i një konklizion i bazuar dhe se kjo nuk do t'i shërbente situatës politike, për zgjidhjen e krizës.

Sipas Metës publikimi i tij në këtë kohë ka rindezur edhe njëherë polarizimin politik pikërisht kur palët sipas tij po rivendosnin një urë dialogu. Draft-raporti paraprak theksonte ne akti i presidentit për shfuqizuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk ishte i bazuar në Kushtetutë dhe se shtonte se ky veprim nuk mund të përbënte argument për shkarkimin e presidentit.

Kreu i shtetit kërkon që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisioni të Venecias, pasi sipas tij vjen në një kohë kur kriza e rëndë në vend po shkon drejt një zgjidhjeje. Gazeta Si ka mësuar se si praktikë draft-raportet nuk pritet që të kenë ndryshime të mëdha në thelb, pasi ato qëndrojnë në raportin final. Ndërsa në ora 11:00 është parashikuar paraqitja e raportit final mbi çështjen e Presidentit Meta. Në agjendë është parashikuar gjithashtu që të publikohet edhe opinioni i ekspertëve të Venecias sa i përket ligjit të pronave.

Raporti i Venecias pritet të ndezë akoma më shumë konfliktin politik e instituiconal në vend. Presidenti Ilir Meta prej disa ditësh po shfaqet në media duke deklaruar se është i qetë dhe se është i bindur se nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës. Në një intervistë televizive të dhënë mbrëmë në Top Channel, kreu i shtetit nuk ngurroi që të sfidonte edhe komisonin e Venecias që të tregonte konkretisht shkeljen e Kushtetutës që kishte kryer me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

"Në qoftë se, jo Venecia, por ju si gazetare, qytetare e Republikës së Shqipërisë, më bindni dhe më thoni: Zoti President, ju me këtë dekret keni shkelur këtë nen të Kushtetutës unë jap dorëheqjen", deklaroi Meta.

Kreu i shtetit sakaq nuk harroi të rikujtonte Ramës se kishte dosjen e fasadave, duke aluduar për afera korruptive madje dhe më tej duke shtuar se ruan disa dosje të tjera ndaj shefit të mazhorancës qeverisëse.

"Ato i kam të gjitha unë, se unë çfarë firmos i mbaj për të gjitha një kopje, se ti e ke parasysh se çfarë ndodh këtu. Mund të ndodhë çdo gjë në kuptimin e falsifikimit, të ndërrimit të gjërave. Jo, janë materiale të domosdoshme. Ma ka mësuar Anastas Angjeli këtë gjë, që letrat duhen të ruhen të gjitha se është tregues i përgjegjshmërisë publike, se nuk është thjeshtë për histori e për arkiv", deklaroi Meta, duke shtuar se ato një ditë mund t'i dërgonte në Arkivin e shtetit. Ndërsa nuk ka kursyer batutat dhe meszhe në adresë të Ramës, ku ka theksuar se me anulimin e zgjedheve donte të shpëtonte edhe vetë kryeministrin.

"Edi Rama ka harruar historinë e Qazim Mulletit, dhe meqenëse e ka harruar mund t’ia tregojnë në Pezë, se atje ia kanë treguar dhe e kam dëgjuar dhe unë për herë të parë nga një veteran. Kishin rrethuar Kajo Karafilin këta njerëzit e Qazim Mulletit këtu në Tiranë, edhe i thonë Qazim Mulletit që i kemi rrethuar Kajon dhe ja kemi mbyllur të gjitha shtigjet dhe do ta këpusim. Vërtetë, i thotë ai? Po, nuk ka shteg ku del ai i gjallë nga Tirana do ta zhdukim, i thonë! Budallenj, tha, lërini një shteg të ikë shpejt se përndryshe do na vijë këtu tha dhe do na bëj copë-copë! Kështu që morali është ky: që kundërshtarit lëri gjithmonë një shteg të hapur, përndryshe përplasjen asnjëherë nuk mund ta parashikosh se çfarë pasojash mund të ketë. Qazim Mulleti ka qenë njeri i mençur, lerë se çfarë thoshin ata se ju duhej për qëllime propagandistike, por ka qenë njeri shumë i mençur. Në Pezë e kam mësuar këtë histori se atje për Kajo Karafilin dhe për Babë Myslymin flasin gjithë ditën", deklaroi Meta gjatë intervistës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë