Politike

Letra/ Meta kundër Venecias: Raporti i pabalancuar, rishikojeni

Presidenti Ilir Meta nuk i pranon “akuzat” dhe konstatimet e komisionit të Venecias që e cilësojnë si një shkelje të Kushtetutës aktin e tij për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ashtu siç kishte premtuar, Presidenca publikoi sot letrën drejtuar kreut të Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio, duke i renditur edhe arsyet se pse draft-raporti paraprak i Venecias, sipas kreut të shtetit nuk është i balancuar dhe nuk e vlerëson si duhet situatën që përjetoi Shqipëria.
Pika 7 e projekt-opinionit, thuhet në letër, e pohon se kronologjia e fakteve nuk është e plotë dhe nuk përbën provë për ndonjë nga ngjarjet e përmendura. “Vlerësimi dhe interpretimi i germës së Kushtetutës në lidhje me ushtrimin e kompetencave dhe rolin e Presidentit të Republikës janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar. Përshkallëzimi i krizës së paprecedent, ende të pazgjidhur, në Shqipëri ka qenë në fokus jo vetëm të autoriteteve, mediave, dhe aktorëve të tjerë vendas, por edhe shqetësim në rritje i partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave të huaja. Asnjë President Republike nuk do të mund të anashkalonte apo të mbetej i pandikuar prej rrezikut permanent të gjakderdhjes dhe cenimit të stabilitetit dhe imazhit të vendit. Asnjë shqiptar që ka ende kujtesë nga regjimi çnjerëzor komunist nuk do të mbetej i pashqetësuar prej rrezikut të kthimit të shtetit-parti pas 29 viteve të demokracisë së brishtë shqiptare”, thuhet në letër.

Lexo letrën e plote ketu Venecia


Në letër theksohet se drafti i publikuar është shpeshherë kontradiktor dhe i pabalancuar. “Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë. Ekspertët do të duhet të ndërtonin ose një opinion teorik, duke iu referuar vetëm bazës ligjore, jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese, ose një opinion në themel, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes. Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike”, thuhet në pikën dy të kësaj letre.
Për kreun e shtetit gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit. Draft-raporti për kreun e shtetit shihet si një mundësi për të interpretuar politikisht atë. “Disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, për sa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit. Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore”, thuhet më tej në letër. Për Metën ky projekt -opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu dhe Kuvendi i Shqipërisë edhe pse në dukje ka adresuar 8 pyetje me natyrë ligjore dhe kushtetuese për Komisionin e Venecias, është i interesuar vetëm për përdorimin e tij politik duke ngritur një kurth të pamerituar për Komisionin e Venecias. Presidenti në këtë letër thekson se vendimi për shkarkimin e tij është i paragjykuar nga mazhoranca e kjo për faktin se përpara se të krijohej komisioni hetimor u miratua një rezolutë që paralajmëronte shkarkimin e tij, ku pro saj kanë votuar edhe anëtarët e kësaj strukture të posaçme parlamentare.
“Kujtojmë se Kuvendi aktualisht ka vetëm 122 deputetë, nga 140 deputetë që duhet të ketë sipas Kushtetutës. Plotësimi i vendeve pamundësohet për shkak të dorëheqjeve në bllok të 182 deputetëve dhe kandidatëve për deputetë të Partive opozitare parlamentare”, thuhet në letër. Ndërsa ngre pikëpyetjet nëse Venecia është njohur me informacionet apo raportet e shërbimeve sekrete që paralajmëronin për trazira. Presidenti e mbyll letrën e tij, duke u shprehur i gatshëm që të japë shpjegime shteruese nëse kjo do të kërkohet nga Komisioni i Venecias, si dhe kërkon që materiali të shqyrtohet nga të gjithë anëtarët e Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë