Politike

Komisioni i Venecias: Meta shkeli Kushtetutën

Komisioni i Venecias ja lë në dorë institucioneve shqiptare interpretimin e shkallës së shkeljes që Presidenti Ilir Meta i ka bërë Kushtetutës me dy vendimet e tij, fillimisht për anulimin e 30 qershorit dhe më pas të caktimit të 13 tetorit si datë zgjedhore. Në bazë të këtij interpretimi, pra nëse shkelja është e rëndë mjaftueshëm për ta shkarkuar, apo jo, fillimisht Parlamenti dhe më pas Gjykata Kushtetueses duhet të vendosin për fatin e Ilir Metës në Presidencë.

“Shtyrja e datës së zgjedhjeve tejakon kompetencat e Presidentit. Është kompetencë vendimmarrëse e Kuvendit, Komisionit Hetimor dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë rëndësinë e shkeljes të Kushtetutës në kushtet e cenimit të periodicitetit të zgjedhjeve”, thotë Venecia.

Gjatë mbrojtjes para Komisionit Hetimor Parlamentar, Presidenti Ilir Meta e cilësoi propagandë të Qeverisë lajmet se kishte zhdekretuar 30 qershorin. Ai tha se ky term ishte i shpikur dhe se Kushtetuta i njihte të drejtë e anulimit të dekreteve, ashtu si institucioneve të tjera. “Qeveria nxjerr vendim, më pas nxjerr një vendim që anulon vendimin e mëparshëm. Kuvendi nxjerr ligj dhe më pas nxjerr ligj që anulon ligjin e mëparshëm. Presidenti nxjerr dekret dhe mund të nxjerrë dekret që të anulojë dekretin e mëparshëm”, tha ai.

Ekspertët e Venecias thonë se pika “Gj” e nenit 92 dhe neni 94 i Kushtetutës vështirë se i japin Presidentit kompetencën për anulimin e zgjedhjeve dhe se anulimi, ose “akti negativ”, siç thuhet në draft-opinion kufizohet vetëm në pikat “C”, “Dh” dhe “E” të nenit 92 që kanë të bëjnë me emërimet, apo marrjen dhe lënien e shtetësisë.

“Kompetencat e Presidentit të parashikuara në pikën c, dh dhe e të nenit 92 të Kushtetutës, qartësisht parashikojnë të drejtën për të vendosur «akt negativ», që dmth heqjen e shtetësisë, lirimin e ambasadorëve fuqiplotë. Ky nuk është rasti i kompetencave të parashikuara në gërmen gj) për caktimin e datës së zgjedhjeve. Duke pasur parasysh kufizimet e parashikuara nga neni 94 i Kushtetutes është vështirë të argumentohet se ekziston një kompetencë e Presidentit për të marrë një vendim negativ, në kuptim të caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet aty.

Presidenti Ilir Meta mbron vendimin e anulimit të 30 qershorit duke pretenduar se shkelej pluralizmi, por Venecia thotë se anulimi shkeli një tjetër të drejtë themelore; atë të zgjedhjes. Anulimi, sipas Venecias duhej bërë me ligj dhe nga organi kompetent. Në Shqipëri, organi që nxjerr ligje është Kuvendi dhe rrjedhimisht ai është organi kompetent për anulimin e zgjedhjeve.

“Presidenti edhe në konktekstin e një qëllimi të ligjshëm, në kushtet kur as Kushtetuta dhe as Kodi Zgjedhor nuk i jep atij legjitimitetin për të vepruar, nuk mund të veprojë. Presidenti duket qartë që nuk e ka një të drejtë të tille. Nuk ka një parashikim ligjor që e lejon anulimin/shtyrjen e zgjedhjeve ashtu siç ka vepruar Presidenti. Ndërhyrja në të drejtën e shtetasve për të zgjedhur nga Presidenti është bërë në mënyrë joproporcionale. Shtyrja e zgjedhjeve pas mbarimit të mandatit të zgjedhurve është humbje e legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura”, vlerëson Venecia.

Draft-opinioni thotë gjithashtu se parimi i pluralizmit nuk kërcënohej në atë shkallë sa të legjitimojë anulimin e zgjedhjeve, që e cilëson një akt joproporcional.

“Gjithashtu, principi i actus contrarius (akti negativ), nuk zbatohet në rastet e të drejtave të njeriut, pasi çdo kufizim i tyre duhet të plotësoje kriterin e proporcionalitetit. Anulimi, ose shtyrja e zgjedhjeve cenon direkt të drejtën e qytetarëve për të votuar, e cila është e drejtë e njeriut. Ky kufizim duhet të jetë proporcional”, thuhet në draft.

Venecia vëren se shtyrja e zgjedhjeve përtej mandatit të të zgjedhurve humbet legjitimitetin e institucioneve të zgjedhore. Drafti thekson se shtyrja e tyre mund të ndodhte vetëm përmes një konsensusi të gjerë politik, apo një baze të shëndoshë ligjore, që Presidentit mund t’i njihej edhe nga një marrëveshje politike. Por, në rastin e dekretit të Metës të 10 qershori këto dy elementë mungojnë.

“Kjo nënkupton se kur data e zgjedhjeve është caktuar, aktorët politikë duhet të kenë mundësinë të kenë besueshmërinë te ky vendim dhe çdo ndryshim i një vendimi të tillë duhet të kryhet me konsensus të gjerë dhe me një bazë ligjore të duhur. Në rastin e dekretit 11199, nuk kishte konsensus që mund të çonte në krijimin e një kompetence ad hoc për shtyrjen e zgjedhjeve”, vëren Venecia.

Ekspertët e Venecias kujtojnë se Kushtetuta e ka parashikuar qartë se zgjedhjet anulohen vetëm kur janë në fuqi masat e jashtëzakonshme. Por, edhe masat e jashtëzakonshme nuk do të përligjnin vendimin e tij nëse më parë këto masa nuk miratoheshin nga Kuvendi.

Meta citonte bojkotin e opozitës edhe si faktor që cenonte parimin kushtetues të pluralizmit. Por, në interpretimin e Venecias, bojkoti i partive politike nuk mund të përfshihet tek masat e jashtëzakonshme, madje mund të shndërrohet në precedent që pengojnë funksionimin e ligjshëm të institucioneve dhe këshillon ndjekjen penale për personat që sulmuan KZAZ-të.

“Bojkotimi i zgjedhjeve nga disa parti është gjithashtu i ndryshëm nga një situatë kur palët e interesuara politike përdorin fuqitë, ose mundësitë e tyre politike posaçërisht për të parandaluar funksionimin e ligjshëm të institucioneve të tjera, ose çfarë është më keq, për të penguar funksionimin e tyre kushtetues. Nëse një përpjekje e tillë do të ishte e suksesshme, ajo do të ndërpresë të paktën përkohësisht funksionimin ligjor, ose kushtetues të Shtetit. Në të vërtetë, në vazhdën e zgjedhjeve lokale, në Shqipëri pati përpjekje për të parandaluar zgjedhjet që tejkaluan një bojkot të thjeshtë, siç janë sulmet e dhunshme kundër vendvotimeve etj. Paralelisht me përpjekjet për një dialog të sinqertë politik, çështje të tilla duhet të të adresohen në kuadrin e sistemit të drejtësisë penale”, këshillojnë ekspertët e Venecias.

Venecia thekson se periodiciteti i zgjedhjeve është kusht i parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut dhe kjo e drejtë nuk mund të kufizohet, pa u parashikuar në ligje dhe pa u legjitimuar nga qëllime të forta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë