Mengjesi

Sot prokurorët zgjedhin KLP-në, nesër radha e KLGJ-së

Prokurorët pritet të zjedhin me short Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një organ i ri që do të krijohet nga zbatimi i Reformës në Drejtësi. Më 27 nëntor, kryeprokurorja Arta Marku nxorri urdhrin për të zhvilluar votimin për zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së, pas mbylljes së procesit të rivlerësimit kalimtar, i njohur ndryshe me emrin Vetting.
Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve realizohet për të zgjedhur listën e prokurorëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në garë për 6 vende prokurorësh për në KLP janë 10 prokuror, mes tyre Besnik Cani prokuror në Elbasan, Anila Leka prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, Antoneta Sevdari prokurorja e Dosjes ‘CEZ”, Arben Dollapaj prokuror në Apelin e Shkodrës.
Të kualifikuar për të garuar në KLP janë prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, ish kandidat për kryeprokuror, Dritan Prençi dhe Genti Osmani prokuror të Krimeve të Rënda dhe të dosjes hetimore “Habilaj” në të cilën hetohet dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Me sukses Vettingun kanë kaluar edhe Kostaq Beluri, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ish drejtues i prokurorisë Vlorë; Vate Staka prokuror në Shkodër dhe Bujar Shehi, prokuror nga Apeli i Krimeve. Krijimi i KLP-së do t'i hapë rrugë ngritjes së SPAK si dhe propozimit të emrit për Kryeprokur të Republikës e cila është një ndër kompetencat e KLP-së.
Ndërsa është parashikuar votim i fshehtë. Një draft-rregullore parashikohet të miratohet në mbledhjen e sotme. Rregullat parashikojnë që të përjashtohen nga votimi ata prokurorë që nuk e kanë plotësuar procesin e Vettingut.
Ndërkombëtarët e kanë cilësuar si vendimtare këtë javë, pasi pritet të realizohet procesi i ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Për KLGJ-në zgjedhjet zhvillohen të mërkurën.
Reagimi më i fundit ishte ai i ambasadës amerikane. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, kjo ambasadë, ju bën thirrje “gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces të lirë dhe transparent zgjedhor për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor”.
"Kjo është mundësia që gjykatësit dhe prokurorët t’i japin kontribut dhe formë sistemit shqiptar të drejtësisë, për të ardhmen dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve. Ne presim që ata të tregojnë se kanë zotërim dhe përgjegjësi në krijimin e këtyre institucioneve jetike", thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve.

Gjithashtu theksohet se "Ruajtja e këtij progresi, sidomos nëpërmjet krijimit të strukturave gjyqësore të pavarura të parashikuara në reformën Kushtetuese, është një hap thelbësor drejt rrugës së çeljes së negociatave me Bashkimin Europian në qershor 2019".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë