Lajme

Vizitë surprizë e Trump në Irak, bashkë me të edhe Melania

Presidenti amerikan Donald Trump dhe “Zonja e Parë” Melania, kanë mbërritur në Irak për një vizitë surprizë për trupat amerikane të dislokuara atje. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders në një ‘tweet’.

Sipas asaj që shkruajnë mediat amerikane, Trump ka nënvizzuar që “nuk ka asnjë plan” për tërheqjen e trupave amerikaane nga Iraku, ndryshe nga ç’pati deklaruar pak ditë më parë, ku forcat amerikane do të tërhiqen gradualisht nga Afganistani dhe Siria. Kjo është vizita e parë e Trump në Irak që kur ka ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti dhe Zonja e Parë, Melania, vizituan fillimisht bazën ajrore Al-Assad në Irak, ku u takuan me ushtarët.

Vizita, e mbajtur e fshehtë me mjaft kujdes, vjen ndërkohë që qeveria federale amerikane është në mbyllje të pjesshme. Ajo vjen gjithashtu më pak se një javë pasi zoti Trump njoftoi planet për tërheqjen e trupave nga Siria dhe rreth gjysmës së atyre në Afganistan, duke zemëruar madje disa nga aleatët e tij më të vendosur politikë.

Vendimi që ai mori për Sirinë, megjithë kundërshtimet e gjeneralëve dhe këshilltarëve civilë amerikanë, çoi në dorëheqjen e sekretarit të mbrojtjes Jim Mattis.

Vendi që Trump zgjodhi për të vizituar është skenë ku ai nuk ka premtuar një tërheqje të shpejtë të forcave. Iraku është gjithashtu vendi ku ai thotë se ka arritur fitoren e tij më të madhe ushtarake, humbjen e Shtetit Islamik në Mosul, qytetin irakian ku udhëheqësi i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi deklaroi fillimin e të ashtuquajturit kalifat.

Sulmi ndaj Mosulit nga forcat irakiane, mbështetur nga amerikanët, filloi në kohën e Presidentit Barak Obama, por arriti kulmin në verën e vitit 2017 nën zotin Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë