Kosova

Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën. Pasoja nëse nuk pranohen tri kushtet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian presin që sot (7 qershor) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri.

Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak i vendosën atij, në takimin e së hënës.

Ato janë qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe dhe kthimi në dialog me Serbinë.

Escobar tha të martën gjatë një takimi me gazetarë që nëse Kurti nuk i pranon këto tri kushte, atëherë i bie që ai nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se kjo, gjithnjë sipas tij, nuk mund të kalojë pa pasoja.

Ai ka shtuar që vendi i tij, Unioni Europian dhe partnerët ndërkombëtarë janë bashkë dhe me një qëndrim në kërkesat për qetësim dhe normalizim të situatës dhe nëse kjo nuk ndodh, por përkeqësohen raportet, atëherë pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata.

Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët.

Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta ndikojë popullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë