Ne rrjet

Fried: Kosova abuzoi me besimin e SHBA-së. Kurti e ka bërë Vuçiç të duket më empatik

Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, thotë Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.

"Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë”, thotë Fried.

Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

"Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar.

Unë nuk kam dyshim në supozimet e mia. Përndryshe nuk mund ta shpjegoj se përse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar. Unë supozoj se ata i kanë arsyet e tyre. Unë supozoj se arsyet e tyre bazohen në injorimin që u bëri Kurti paralajmërimeve të tyre dhe në të konsideruarit e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë - çfarë ka qenë gabim dhe e habitshme".

Fried ka thënë që Kurti e ka bërë presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç të duket më empatik.

"Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën].

Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës", ka thënë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë