Kosova

Escobar dhe Lajçak takohen me Vuçiç: Shprehu gatishmëri për uljen e tensioneve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak dha detaje në lidhje me takimin që ai dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar zhvilluan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lajçak u shpreh se në takim u diskutua për gjendjen komplekse të serbëve në veri të Kosovës.

Lajçak shtoi se dhuna nuk është e pranueshme dhe se duhet një zgjidhje politike, për të cilën Vuçiç shprehu gatishmërinë e tij.

“Në Beograd, Escobari dhe unë kemi pasur diskutime të gjata me presidentin Vuçiç, lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme, dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Escobar dhe Lajçak kanë qëndruar më 5 dhe 6 qershor në Kosovë, dhe janë takuar me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Escobar ka thënë për gazetarët në pasditen e së martës se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por ka shtuar se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” - duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne - ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë