Ambasadori i BE Luigi Soreca teksa ishte i pranishëm në Durrës për të parë nga afër situatën e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit u shpreh se Bashkimi Europian dhe organizmat ndërkombëtarë gjenden pranë shqiptarëve në këto momente të vështira për ta.
Në një prononcim për mediat, Soreca ndër të tjera tha se grupet e teknikëve të huaj që janë në terren do të bëjnë të mundur përcaktimin se cilat banesa janë të pabanueshme.
Po ashtu, Soreca ka deklaruar se Komisioneri për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarčič, do të vijë në Shqipëri të mërkurën, për t’u njohur me situatën aktuale në vend.
“Ne jemi këtu për të treguar mbështetjen dhe solidaritetin tonë. Është koha që qytetarët shqiptarë ta kuptojnë se po bëhet gjithçka për ta në terren. Jemi një ekip prej 50 inxhinierësh që janë në Durrës dhe në zona të tjera të vendit të prekura nga tërmeti. Inxhinierët do të vlerësojnë dëmet dhe më pas do jepen vlerësimet. Qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se cilat janë banesa të sigurta e cilat jo. Pas dy ditësh, Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič do të vijë në Shqipëri dhe do të flasë me institucionet e duhura për këtë situatë”, tha Soreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.