Futboll

Cikalleshi me ekip të ri, qëndron në elitën turke

Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, do të mbetet në elitën e futbollit turk, edhe pse skuadra e tij, Osmanlispori, ka rënë një kategori më poshtë. 28-vjeçari kavajas do të kalojë te skuadra e Gëztepes, siç raportojnë mediet sportive në Turqi, konkretisht “Ajansspor”. Edhe vetë futbollisti e kishte thënë shpesh kohët e fundit se do të luante sërish në kategorinë më të lartë të futbollit turk. Ia ka arritur qëllimit dhe tani mbetet vetëm që lojtari të firmosë dhe të prezantohet me skuadrën e re.

Ky është një lajm i mirë edhe për trajnerin e kuqezinjve Kristian Panuçi. Cikalleshi është për momentin sulmuesi kryesor i Kombëtares, pasi Armando Sadiku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale vetëm pak kohë më parë dhe do të mungojë gjatë. Bekim Balaj vjen gjithashtu nga një dëmtim dhe nuk ka luajtur me Akhmat Groznin në Rusi, ndërsa Sindrit Guri nuk ka ende përvojën e duhur për të udhëhequr sulmin kuqezi. Tashmë që ka gjetur ekipin e ri dhe do të luajë sërish në futbollin elitar turk, edhe vetë kavajasi është më i qetë dhe pritet të bëjë më të mirën në ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë në Ligën e Kombeve gjatë muajit shtator.

Sokol Cikalleshi gjatë ndeshjes me Serbinë

Sokol Cikalleshi në fakt është lojtari i parë, me të cilin trajneri Panuçi ka pasur një përplasje pasi mori drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Dhe ishte pikërisht firma me klubin e ri nga ana e sulmuesit në atë kohë që solli këtë përplasje. Trajneri italian nuk e fali Cikalleshin, i cili i telefonoi Panuçit nga Turqia për t’i kërkuar leje. Në konferencën e shtypit ai theksoi se disiplina ishte e para në ekip dhe nuk e toleroi Cikalleshin, që mund ta firmoste kontratën e re edhe me e-mail. Më pas problemi u sheshua dhe kavajasi u grumbullua për ndeshjet e tjera nga trajneri i Kombëtares.

Cikalleshi firmos kështu për herë të katërt në Turqi, ku fillimisht kaloi te Bashakshehiri, ndërsa më pas luajti për Akhisarin, Osmanlisporin dhe tani për Gëztepen. Detajet e kontratës së re ende nuk janë bërë të ditura. Ekipi i ri i kavajasit mban vendin e 12-të në kampionat, pas tri javëve të para dhe fitoren e vetme ka atë të javës së fundit me Fenerbahçen. Cikalleshi ka luajtur edhe në kampionatin kroat dhe atë korean në karrierën e tij, ndërsa në Shqipëri është aktivizuar me Besën, Skënderbeun, Tiranën dhe Kukësin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë