Politike

Socialistët zgjedhin mes duartrokitjesh Artur Metanin në krye të ILD-së

Nga 84 vota që i duheshin për ta zgjedhur, Kuvendi miratoi me 98 vota pro dhe vetëm tetë kundër, Artur Metanin që u zgjodh Inspektori i Lartë i Drejtësisë, mes duartrokitjeve të deputetëve të mazhorancës.

Metani është vëllai i deputetes socialiste, Eglantina Gjermeni, e cila nuk mori pjesë në votim.

Lista me renditjen përfundimtare iu dorëzua Kuvendit për të zgjedhur njërin nga pesë emrat. Procesi ishte i njëjtë me atë të zgjedhjes së kryeprokurorit. Kuvendi ka afat 30 ditë që të zgjedhë njërin nga pesë kandidatët dhe nëse nuk siguron shumicën e nevojshme prej 84 votash, atëherë kandidati i renditur i pari nga KED emërohet automatikisht.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përfundoi në dhjetor procesin e intervistimit të pesë kandidatëve dhe ka miratuar listën përfundimtare të renditjes së tyre për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Lista përsoi asnjë ndryshim me listën paraprake të publikuar disa ditë më parë, ku Artur Metani, i cili aktualisht mban postin e Avokatit të Shtetit u rendit në krye, ndjekur nga Sokol Stojani dhe më pas me radhë Joana Asimi, Eris Hysi dhe Lindita Troja.

Kush ishin favoritët?

Në bazë të vlerësimit përfundimtar të KED-së, tre kandidatët e parë u cilësuan si favoritë. I pari, Artur Metani ka një përvojë të gjatë në marrëdhëniet e tij me ligjin. Ai ka përfunduar studimet e larta në vitin 1996, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në të Drejtën Kushtetuese të Krahasuar, në Universitetin e Europës Qendrore në Budapest, në Departamentin e Studimeve Ligjore (1997), si dhe në Universitetin e Utah, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua për të Drejtën e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në vitin 1998.

Nga 1999 deri në 2002 ka punuar si koordinator i programit ligjor në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Më pas, ka një përvojë të gjatë pune prej vitit 2002 deri më 2012, si këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Meidani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi. Në nëntor 2013 është emëruar Drejtor i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri, detyrë të cilën e ushtroi deri në në 2018, kur u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.

Ka punuar, gjithashtu, si këshilltar ligjor i jashtëm në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, si dhe ekspert i jashtëm për EURALIUS dhe PAMECA. Ai ka qenë anëtar i bordit të Komitetit të Helsinkit në Shqipëri, si dhe ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë.

Emri i dytë është Sokol Stojani. Prokuror prej më shumë se dy dekada në Shqipëri. Stojani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe ka punuar për disa vite në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2008 u emërua prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe përgjatë 10 viteve të fundit ka mbajtur disa poste drejtuese, përfshirë edhe atë të anëtarit të Këshillit të Prokurorisë.

Në fillim të 2019, Stojani u emërua drejtor i Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve nga kryeprokurorja Arta Marku, detyrë të cilën e mbajti deri në shtator, kur në media u publikua një urdhër shkarkimi nga ky post, por vetë Stojani tha se kishte dhënë dorëheqjen për shkak të këndvështrimeve të ndryshme me kryeprokuroren Arta Marku.

Kandidatja e tretë e vlerësuar paraprakisht më lart nga KED është Joana Asimi Sorraj. Ajo është diplomuar si juriste në vitin 2003 në Fakultetin e Drejtësisë në Salento të Italisë. Në vitin 2007 ka përfunduar studimet master në Fakultetin Juridik në Tiranë, ndërsa në vitin 2017 ka mbrojtur gradën “Doktor i shkencave juridike”. Ka marrë titullin avokat në vitin 2005. Gjatë periudhës 2006-2013 ka shërbyer si specialiste në institucionin e Presidentit të Republikës. Ka punuar gjithashtu si juriste pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe juriste në Bashkinë e Tiranës deri në vitin 2017. Ka punuar edhe si pedagoge e jashtme në disa universitete private dhe publike të vendit. Ka kryer disa specializime në fushën e të drejtave të njeriut dhe është e specializuar në fushën e së drejtës publike.

Çfarë bën ILD

Kushtetuta përcakton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj. Gjithashtu, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

Po në Kushtetutë saktësohet se Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional.

Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Kushtetuta i jep Inspektorit të Lartë të Drejtësisë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe se ankimet ndaj vendimeve lidhur me masat disiplinore ndaj inspektorëve të tjerë shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë